Katër vite më parë Gjirokastra zgjodhi një grua në krye të Bashkisë. Zamira Rami ishte e para kryebashkiake e qytetit. Katër vite më vonë një tjetër grua zgjidhet për herë të parë në krye të Këshillit të Qarkut. Duket si një plan i kurdisur mirë për të patur gjithmonë një grua në krye të një prej institucioneve të rëndësishme në Gjirokastër. Edhe në qoftë i tillë duhet parë pozitivisht. Si mbërriti Lindita Rova deri në krye të Këshillit të Qarkut dhe çfarë e pret më tej?
S’ka dyshim që ajo është një socialiste e hershme dhe s’e ka fshehur kurrë këtë, me dallimin e vetëm se ka ditur gjithmonë momentin kur duhej t’i qasej më shumë PS-së dhe kur duhej të bënte hapa prapa. Mundet që kjo të quhet edhe dinakëri, por është e përligjur në një mjedis të tillë politik si ky në Shqipëri. Për një periudhë të shkurtër Lindita Rova pati punuar edhe si nënkryetare e Bashkisë Gjirokastër gjatë kohës kur drejtonte Flamur Bime.
Ishin vetëm disa muaj diku nga fillimi i mandatit të dytë të Bimes. Por iku për të mos u kthyer më aty pasi kuptoi se ai nuk ishte momenti i saj dhe ndoshta as vendi i duhur. Vijoi ndërkohë karrierën akademike në Universitetin “Eqrem Çabej” si lektore e Ekonomikut, në pritje të një momenti tjetër më të mirë në PS.
Erion Veliaj me G99 nuk e bindi dot në zgjedhjet e vitit 2009 për të kandiduar për deputete në Gjirokastër. Për Lindita Rovën as ky nuk ishte momenti. Ajo nuk mund të hynte në një ‘betejë’ ku mundësitë për të fituar ishin pothuajse zero. Edhe pse Erion Veliaj dhe G99 ishin ‘cool’ për atë kohë, Rova e dinte se për të patur sukses në Gjirokastër i duhej koraca e një partie më të madhe si PS-ja. Priti edhe katër vite opozitë për t’u shfaqur në vitin 2013 kur PS erdhi në pushtet.
Ky ishte momenti i saj. E ndihmuar nga raporti që pati krijuar me Erion Veliajn, i cili u zgjodh deputet në Gjirokastër, Lindita Rova mori drejtimin e Drejtorisë Arsimore Gjirokastër, post që e mbajti për 6 vite me radhë. Natyrisht që për këtë u zhvillua edhe një konkurs publik ku Rova doli fituese edhe pse që në start dukej e avantazhuar krahasuar me të tjerët. Ajo ishte drejtoresha më jetëgjatë e socialistëve në Gjirokastër duke shkaktuar jo pak xhelozi tek të tjerët. Shumë edhe prej atyre që dje e uruan, më parë e shihnin vëngër.
Më shumë sesa për Lindita Rovën kishte një dakordësi të madhe prej Edi Ramës për të mos i prekur njerëzit e arsimit. Lindita Rova përfitoi nga kjo. Natyrisht që edhe diti të menaxhonte mirë arsimin parauniversitar në Gjirokastër. Më shumë për meritë të Ramës sesa të vetë asaj, Lindita Rova të paktën nuk do të mbahet mend si drejtoresha e arsimit që detyronte mësuesit dhe nxënësit të shkonin në takimet elektorale të PS-së.
Nëse Rama do të ishte si Berisha në këtë pikë edhe Lindita Rova me siguri që do të qe një kopje e shëmtuar e Baçi Mukës apo Arjan Panos. Për fat kjo nuk ndodhi. Si person që ka ditur të kapë gjithmonë momentin dhe të shfrytëzojë konjukturat, Lindita Rova u bë për një kohë të shkurtër, mes viteve 2015-2016, njeriu më i besuar i Koço Kokëdhimës në Gjirokastër. Asokohe ish-deputeti i Vlorës ishte emëruar nga Rama si koordinator për rajonin e jugut.
Rova e kuptoi se Kokëdhima ishte i besuari i Ramës dhe brenda pak kohësh konsolidoi raportin me të. Sigurisht që këtu një meritë e ka patur edhe Kokëdhima pasi gjithmonë ai synonte të promovonte në PS njerëz me një staturë të caktuar dhe me një profil të ngritur. Krahasuar me shumë drejtues të tjerë në Gjirokastër, Lindita Rova e kishte këtë avantazh dhe natyrisht vazhdon ta ketë ende.
Përjashtimi i Kokëdhimës nga PS-ja e kaloi sërish në plan të dytë Lindita Rovën. Ajo vijonte të drejtonte DAR Gjirokastër duke patur edhe një raport le të themi të privilegjuar me ministren Lindita Nikolla. U angazhua në zgjedhjet e vitit 2017 si shumë drejtues të tjerë të socialistëve edhe pse ministrja teknike e Arsimit e vendosur nga PD-ja, e denoncoi në Prokurorinë e Gjirokastrës rastin e saj.
Në zgjedhjet e 30 qershorit Lindita Rova u zgjodh anëtare e Këshillit Bashkiak Gjirokastër. Më pas punoi në heshtje për të krijuar ‘aleancat’ e duhura, në mënyrë që të mbërrinte deri në krye të Këshillit të Qarkut. Nëse për këtë të fundit do të triumfonte ‘klani i Tepelenës’, Rova kishte edhe planin B; postin e Prefektit të Qarkut. Asgjë tjetër s’e joshte.
Nënkryetare bashkie, kësaj radhe me një tjetër Flamur, nuk ishte ajo çfarë donte. Ndonëse Këshilli i Qarkut është një institucion që vepron si ‘ishull i izoluar’, pa ndonjë rëndësi dhe vizibilitet shumë të madh, përveç rrogës së lartë dhe fondeve me të cilat mund të rregullosh fjala vjen edhe rrugën e fshatit tënd, për Lindita Rovën ky ishte një kapërcim i madh në karrierë dhe nëse ajo e shfrytëzon si duhet mund t’i shërbejë si trampolinë për diku tjetër.
Meqë Bashkinë Gjirokastër ia la si ‘pajë’ për 12 vjet Flamur Golemit gjatë një takimi elektoral në ‘Granicë’, ajo mund të aspirojë për një vend në listat e kandidatëve për deputetë të PS-së në Gjirokastër në zgjedhjet e vitit 2021. Një gjë është e sigurt; Lindita Rova nuk është në krye të qarkut si ‘garniturë’ apo fasadë thjesht sepse është grua. Ky është avantazhi i saj!
©argjirolajm.net