Bashkia Gjirokastër do të realizojë gjatë vitit 2021 një investim të rëndësishëm në lagjen “18 Shtatori”. Hapësira përreth stadiumit të qytetit do të rehabilitohet plotësisht, duke u kthyer në një zonë rekreative për qytetarët dhe bizneset. Investimi kap vlerën e rreth 320 milionë lekëve të vjetra, të cilat do të shlyhen në dy vite, por investimi i plotë parashikohet të kryhet brenda vitit 2021. Zona përreth stadiumit ishte kthyer prej vitesh në një ambient të pashfrytëzuar dhe shpesh jo të pranueshëm nga ana estetike. Për këtë projekt është diskutuar edhe sot në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, ku u miratua buxheti i vitit të ardhshëm. Kryebashkiaku Flamur Golemi përmes një postimi në faqen e tij në Facebook rendit edhe disa investime të tjera që do të kryhen gjatë vitit 2021.
Postimi i Golemit
2021 me lajme të mira për Gjirokastrën
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për këtë vit miratuam buxhetin e vitit të ardhshëm, ku kemi parashikuar disa investime të rëndësishme.
Do të rikualifikojmë hapësirën përreth stadiumit, duke e shndërruar në një ambient rekreativ në shërbim të qytetit, larg asaj që që shohim sot.
Do të rikonstruktojmë rrugën e fshatit Picar.
Do të rehabilitojmë disa kanale vaditëse në zonat rurale për të ndihmuar fermerët, si dhe do të ndërhyjmë në Urën e Subashit.
Investime të tjera të vogla do të bëhen në rrugët rurale të disa fshatrave.
Rikonstruksionin e Teatrit “Zihni Sako”, ku po punohet, do ta përfundojmë me shumë mundësi në pranverë të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë që dy projektet madhore, që presim të fillojmë gjatë 2021, me mbështetjen direkte të qeverisë, janë rehabilitimi i Sheshit “Cerciz Topulli” dhe ndërtimi i parkimit nëntokësor, si dhe Bypassi që nis nga Ura e Nanxës.
Këto kantiere që do të hapim gjatë 2021 janë shumë të rëndësishme për të përmirësuar më tej jetën e banorëve, për të krijuar vende të reja pune, për të nxitur investime të reja dhe për të ndihmuar perspektivën zhvillimore të Gjirokastër, si një pol i rëndësishëm turistik në jug të vendit.