Shkrirja e ekipit të futbollit të Luftëtarit është një tjetër goditje e madhe që i jepet Gjirokastrës pas largimit masiv të popullsisë këto vitet e fundit, pas rrënimit të Universitetit “Eqrem Çabej”, mbylljes së disa institucioneve dhe prishjes së shumë balancave sociale. Futbolli ishte ndër aktivitetet e vetme sportive që i kishin mbetur qytetit. Ajo që ka ndodhur me Luftëtarin është e ngjashme me uzinën e naftës në Ballsh. Pasi e merr një investitor, e shfrytëzon nën hundën e shtetit duke mos paguar taksa e duke krijuar një mal me borxhe.
Pastaj ikën pa asnjë kokëçarje dhe e merr një investitor tjetër që bën po të njëjtën gjë. Kap ç’a të kapësh dhe futja vrapit pa të hyrë gjëmb në këmbë. Edhe Gole Tavo këtë synim kishte. Bleu Luftëtarin me një çmim qesharak duke shfrytëzuar faktin se vëllai i vet deputet drejtonte de fakto Bashkinë Gjirokastër. Nuk ishte një investim më shumë për shkak të pasionit të madh ndaj futbollit dhe synimit për ta kthyer në një aktivitet rentabël kundrejt rregullave të tregut sesa ishte thjesht një lëvizje në funksion të axhendës politike të Vangjel Tavos në qarkun Gjirokastër dhe duke patur akses të buxheti i bashkisë të bëntë çfarë të donte.
Dhe në fakt për aq kohë sa ishte Zamira Rami në krye të bashkisë, familja Tavo bëri çfarë deshi me klubin e Luftëtarit, i zgjati duart në arkën e bashkisë aq herë sa deshi. Zyrtarët e shtetit bënin sehir se si krijohej mali me borxhe. Zyrtarët e këtij shtetit tonë legen që po kalove 3 muaj pa paguar dritat të vjen t’i ndërpret ndërsa për piramidën financiare të Gole Tavos dhe pasardhësve të tij nuk pati kurrë asnjë masë. Plotësisht e kuptueshme indinjata e tifozëve dhe qytetarëve të Gjirokastrës që duan sërish klubin e Luftëtarit. Do ndërhyjë apo jo bashkia në këtë çështje është punë e saj, por në asnjë rrethanë s’mund të ketë amnisti për borxhet dhe nxjerrjen e përgjegjësive për gjithë allishverishet që janë bërë te Luftëtari.
Flamur Golemi ka thënë se do të kryente auditim të plotë për klubin që kur mori detyrën e kryebashiakut. Sot më shumë se 1 vit nga marrja e detyrës nuk dihet asgjë për fatin e këtij auditimi dhe kush janë fajtorët për këtë gjëndje të klubit. Një zgjidhje s’mund të jetë e qëndrueshme nëse amnistohet gjithçka ka ndodhur më parë duke mbyllur sytë para malit të borxheve dhe rënimit të klubit. Nëse nuk nxirret një mësim i mirë nga kjo histori, ka gjasa që ajo të përsëritet sërish. Mund të vijnë matrapazë të tjerë që pasi ta shfrytëzojnë klubin mirë e mirë, të largohen duke lënë sërish borxhe të papaguara dhe të krijojnë një situatë si kjo që nuk është parë prej vitesh në Gjirokastër. Cdo zgjidhje që mund t’i jepet klubit për momentin është e paplotë nëse fshihet si me gomë të lapsit gjithcka ka ndodhur te Luftetëri.
©argjiroja.net