Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës ka zgjatur me 1 muaj afatin për abonentët familjarë që të lidhin kontratat me ndërmarrjet e Ujësjellësit në kuadër të reformës së uji. Afati përfundimtar i caktuar më 1 shkurt është shtyrë edhe për muajin e ardhshëm për shkak të fluksit të madh të abonentëve që deri më tani nuk kanë pasur kontrata me ujësjellësin.
Lajmi është bërë me dije nga ministri Damian Gjiknuri, i cili sqaroi se shtyrja e afatit me 1 muaj bëhet vetëm për konsumatorët familjarë dhe jo për biznesin. Prej 1 Shkurtit, do të penalizohen të gjitha bizneset që nuk kanë kontratë me ujësjellësin dhe nuk paguajnë faturat e ujit.
“Janë gati 9 miijë kontrata të reja dhe 4 mijë të tjera në procesin 26 mijë matësa uji të instaluar. Rezulton të jenë nënshkruar 7500 akt-marrëveshje për shlyerje me këste të borxheve të ujit. Të zgjasim edhe me një muaj afatin për konsumatorët familjarë për vetëdisiplimin, duke iu dhënë më shumë të vazhdojnë procesin e akt-marrëveshjeve. Kjo bëhet me qëllim për shkak të fluksit, që qytetarët të mos penalizohen”, ka deklaruar ministri Damian Gjiknuri.
Më herët, në takimin me deputetët, kryeministri Rama ka paralajmëruar të gjithë ata që nuk paguajnë ujin, por edhe ata që kanë lidhje të paligjshme.
“Për bizneset që vjedhin ujë dhe që cenojnë furnizimin me ujë të familjeve dhe gjithë komunitetit, dua t’u them se do të jemi të pamëshirshëm. Po vjedhin këtë pasuri të të gjithëve. Kjo është një pasuri që Shqipëria dhe shqiptarët duhet të marrin jo vetëm ujin por edhe administrim të mirë”, u shpreh Rama.