Zamira Rami, e para grua që u zgjodh në krye të Bashkisë Gjirokastër katër vite më parë, po konsumon muajin e fundit të mandatit të saj. Katapultimi nga Prefektura në krye të Bashkisë ishte një ngjitje e madhe për të, ndonëse shkaktoi shumë habi në radhët e PS-së që nuk ishin mësuar me idenë se Bashkinë mund ta drejtonte dikush jashtë radhëve të tyre. Por në vitin 2015 Rama i vuri në rresht të gjithë, me Flamur Bimen në krye, duke i detyruar të bënin fushatë për Zamira Ramin si kandidate konsensuale e Aleancës për Shqipërinë Europiane.
S’kishte asgjë të keqe, përkundrazi ishte një lajm shumë i mirë për Gjirokastrën, qytetin e Musine Kokalarit dhe Ismail Kadaresë, që do të kishte për herë të parë një grua në krye të Bashkisë. Kjo nuk ishte thjesht një shenjë emancipimi dhe demokratizimi i jetës politike në nivel lokal, por edhe një shpresë e madhe se më në fund Gjirokastra do të qeverisej më mirë nga një grua. Duke qenë më të brishta nga natyra, duke qenë nëna, shpesh gratë janë më të prirura për të marrë vendime le të themi më të drejta, më të mira. Kryebashkiakët burra ishin provuar dhe secili përfundoi mandatet me kusuret e veta.
Pra, kishte një shpresë të madhe tek Zamira Rami se diçka do të ndryshonte për mirë në Bashkinë Gjirokastër edhe pse rreth saj sillej hija e Vangjel Tavos, i cili ka qenë mentori politik i saj që prej ditëve të para kur ajo hyri në LSI. Ideja se Zamira Rami do të ishte thjesht një kryetare kukull, pasi fijet e vërteta të pushtetit në Bashkinë Gjirokastër i lëvizte Vangjel Tavo, e shoqëroi kryebashkiaken përgjatë gjithë mandatit të saj. Edhe pse ajo u mundua fort të krijonte një identitet të vetin, gjerësisht ekzistonte perceptimi se në fakt vendimet në Bashkinë Gjirokastër i ka marrë Vangjel Tavo.
Në shumë raste ky perceptim ishte i gabuar. Ka plot gjëra në Bashkinë Gjirokastër që mbajnë plotësisht ‘vulën’ e Zamira Ramit. Megjithatë nuk është kjo më e rëndësishmja. Pyetja që shtrohet pas 4 vitesh është kjo: Cili është bilanci i Zamira Ramit në krye të Bashkisë dhe si e drejtoi ajo qytetin e gurtë? Përgjigjja është komplekse dhe natyrisht nuk jepet në pak radhë të këtij shkrimi, por katër vite më pas në jemi në gjendje të japim disa konsiderata për punën e saj.
Nëse ju kujtohet, fillimisht Zamira Rami e nisi me disa aksione populiste të modelit Erion Veliaj në Tiranë, duke pastruar mbeturina, duke vendosur kosha, duke mbjellë pemë etj etj. Le të themi se ishte një start i mirë dhe i paketuar bukur për publikun. Nën zë të gjithë flisnin për një kryebashkiake arrogante, e cila ushtronte me prepotencë pushtetin që në ditët e para të detyrës.
Diku rreth një vit pasi kishte marrë mandatin, ajo që thuhej nën zë për të, u shpërfaq për mbarë publikun në Gjirokastër dhe gjithë Shqipërinë. Shkarkimi spektakolar i drejtorit të ujësjellësit, Dasho Qeli, është ngjarja më emblematike që shenjoi mandatin e saj. Edhe ata që sot pas katër vitesh nuk mbajnë mend asgjë nga punët e Zamira Ramit, me siguri që shkarkimin e Dasho Qelit e kanë të fiksuar në memorien e tyre.
Aty Zamira Rami iu tregoi gjirokastritëve se pas buzëqeshjes se saj dhe vështrimit shpotitës, në fakt fshihej një grua tejet e ashpër dhe arrogante, po aq edhe sa burrat barkderra dhe idiotë që shohim shpesh në zyrat e shtetit. Ajo që kishim shpresuar në fillim për të, në fakt u rrëzua në një ditë të vetme. E këshilluar gabim ose totalisht duke u nisur nga mendja e saj, Zamira Rami shkoi me kamera me vete për të demonstruar forcë ndaj Dasho Qelit, si dhe terrorizoi punonjësit ndërmarrjes së ujësjellësit.
E gjitha iu kthye në boomerang. Në ‘gropën’ që hapi për Dasho Qelin, Zamira Rami ra vetë. Të kuptohemi, nuk u bëmë asnjëherë merak pse iku një drejtor si Dasho Qeli dhe erdhi një tjetër. Gjetkë është shqetësimi ynë. Pikërisht tek ajo se si nuk duhet të jetë një grua në politikë apo vendimmarrje. Zamira Rami na tregoi me shkarkimin e drejtorit të ujësjellësit se si nuk duhet të jetë një grua në pozicione drejtuese. Kjo ngjarje ishte thyerja e madhe për të, për imazhin e saj dhe për vijimin e mandatit.
Në Gjirokastër janë bërë disa punë publike, qoftë me financim nga qeveria ashtu edhe nga Bashkia. Patjetër që këtu ka meritën e vet edhe Zamira Rami, sikundër nuk duhet të harrojmë edhe disa punë të tjera gjysmake të saj. Shembulli tipik është tregu industrial i qytetit.
Pa kaluar gjashtë muaj nga inagurimi, çatia e tij pikonte. Sa herë binte shi, tregu mbushej me ujë. Investim gjysmak ishte edhe tek ‘Kodra e Rilindasve’. Në dallim nga paraardhësi i saj, Zamira Rami bëri një përpjekje shumë të mirë për të organizuar evente dhe aktivitete të ndryshme që e gjallëronin jetën në Gjirokastër dhe ndihmonin zhvillimin e turizmit.
Ia doli deri diku përkundër gjithë vështirësive që kishte në këtë drejtim dhe duke marrë parasysh sidomos mungesën e theksuar të burimeve njerëzore të kualifikuara. Biem dakord që shumica e atyre që punojnë sot në Bashkinë Gjirokastër, por edhe në insititucione të tjera, nuk janë njerëzit më të kualifikuar. Kryesisht ata janë aty sa për të marrë një rrogë dhe sepse janë militantë partie. Kaq!
Padiskutim që kjo nuk ia bënte të lehtë punën kryebashkiakes. Donte apo nuk donte ajo, Zamira Rami s’i shpëtoi dot pazareve të vogla lokale për ndarje të vendeve të punës apo buxhetit të Bashkisë. Kjo e pengoi të fokusohej tek prioritetet dhe ato për çfarë kishin nevojë qytetarët. Shitja e klubit Luftëtari me një çmim qesharak dhe gropa e madhe financiare e klubit lidhen padiskutim edhe me kryebashkiaken dhe raportin e saj me familjen Tavo.
Një kusur më vete i saj në këto katër vite si kryebashkiake, ishte raporti që ajo ndërtoi me gazetarët. Do të mbahet mend si kryetarja që punësoi më shumë gazetarë në bashki si askush tjetër më parë. Madje punësoi edhe nga ata me diplomë të falsifikuar. Nëse Flamur Bimja punësone apo shpërblente pronarët e mediave, Zamira Rami e kishte raportin direkt me gazetarët.
Nuk e bënte këtë gjë sepse ata ishin më të kualifikuarit e mundshëm në qytet, përkundrazi në shumë raste ishin nivel mediokër dhe madje gjobaxhinj të rëndomtë. Ka prej tyre që Rami i ka diskredituar publikisht për shpifje dhe lajme të rreme, por më pas është përfolur se i ka ushqyer me tollona nafte apo përfitime të tjera thjesht dhe vetëm për t’i mbajtur afër.
Ajo mendonte se duke i punësuar e shpërblyer, do të krijonte rreth saj një oaz qetësie pa zëra kritikë, pa raportime problematike. Zamira Rami ra pre e tyre mbase edhe nga obsesioni që ajo kishte për të kontrolluar çdo gjë që shkruhej e flitej rreth saj. Madje njerëzit pranë saj thonë edhe se ajo monitoronte gjithashtu edhe kush bënte ‘Like’ çfarë në rrjetet sociale ku flitej për të.
Përtej këtyre duhet t’i njohim Zamira Ramit vështirësinë e jashtëzakonshme për të menaxhuar një bashki shumë më të madhe sesa thjesht qyteti i Gjirokastrës. Po t’i shtosh edhe stigmatizimin që ne si shoqëri kemi shpesh për femrat në pozicione drejtuese, situata për të nuk ishte komode. Kur vjen fjala tek statura si kryebashkiake dhe aftësitë komunikative, natyrisht që Zamira Rami meriton notën 10. Komportohej shumë lehtë para kamerave, fliste rrjedhshëm dhe e kishte përvetësuar oratorinë në një nivel shumë të mirë. Por jo në çdo rast është ky çelësi i suksesit.
Katër vite më vonë secili prej nesh ka vlerësimin e vet për punën e Zamira Ramit në krye të Bashkisë Gjirokastër. Ne besojmë se ky mandat i saj ishte pa shkëlqim dhe se koha provoi që ajo nuk e justifikoi dot mbështetjen dhe e besim e madh që mori para katër vitesh nga të gjithë. Zamira Rami ka për të mbetur në historiografinë e Gjirokastrës si kryebashkiakja e parë grua. Por asgjë më tepër se kaq.
©argjiroja.net