Policia e Shtetit ka reaguar pas publikimit të një video në rrjetet sociale ku shfaqej një makinë që xhironte gomat para Komisariatit Nr. 6 në Kombinat, ka bërë të munduar shoqërimin e drejtuesit të mjetit. Në një reagim për mediat Policia shkruan se pasi kanë parë videon kanë zhvilluar kontrolle të shumta dhe kanë rënë në gjurmët e tij, duke e shoqëruar 29-vjeçarin që drejtonte mjetin, por nuk jep identitetin e tij. “Si rezultat i kontrolleve të shtuara, në Unazën e re u bë i mundur ndalimi dhe shoqërimi i drejtuesit të automjetit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë“, shtohet më tej në njoftim.
NJOFTIM I PLOTË
Xhiroi gomat dhe bëri manovra të rrezikshme në rrugë, para Komisariatit të Policisë Nr. 6 dhe u largua me shpejtësi, por kapet nga Policia Rrugore 29-vjeçari nga Tirana dhe shoqërohet në Komisariatin Nr. 6, për veprime të mëtejshme. Nisur nga postimi në disa portale elektronike, ku shfaqej një automjet i markës Mercedes Benz me ngjyrë të bardhë duke bërë manovra të rrezikshme dhe xhirime gomash në rrugën “Llazi Miho”, përpara Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, shërbimet e Policisë, pas këqyrjes së pamjeve filmike të kamerave përreth vendit ku drejtuesi i mjetit kishte xhiruar gomat, bënë të mundur identifikimin e automjetit.
Pas identifikimit të të dhënave të automjetit që shfaqej në videon e publikuar, rrugorët e kryeqytetit organizuan kontrolle të shtuara. Si rezultat i kontrolleve të shtuara, në Unazën e re u bë i mundur ndalimi dhe shoqërimi i drejtuesit të automjetit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, ku po kryhen dhe verifikimet e nevojshme, me qëllim procedimin penal të personit përgjegjës për veprimet dhe sjelljet e rrezikshme në rrugë, si dhe procedimin administrativ për shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor të konsumuara nga drejtuesi i këtij automjeti, që kanë rrezikuar jetën e tij dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës që gjendeshin në afërsi të vendit ku automjeti po kryente manovrat e rrezikshme. #SfidëKujtdoQëCenonSigurinë🚑#DenoncoDrejtuesinekeqedukuar #ManifestoRregullQetësiNë🚙