Nëse Renato Milloshi nuk do të ishte mërzitur duke jetuar në arrati, ende sot nuk do të kishte asnjë të arrestuar për vrasjen e Elton Çiçës. “U lodha duke u fshehur bodrumeve për 1 vit”, ka thënë ai në sallën e gjyqit ku doli për t’u njohur me masën e arrestit. “Pas ngjarjes jam fshehur në periferi të Tiranës ku kam jetuar në banesa të ndryshme në Sauk dhe tek Kodra e Diellit si dhe në banesa pranë Qendrës Kristal. Me Jani Aliajn nuk kam kontaktuar. Kam dëgjuar që ka ikur jashtë vendit”,- ka rrëfyer shkurt Milloshi.
Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Renato Milloshi i vetëdorëzuar dy ditë më parë në polici, pasi akuzohet si bashkëpunëtor në ekzekutimin e Elton Çiçës në 1 maj të vitit të kaluar, në një lokal në zonën e ish-Bllokut.
Renato Milloshi ishte pronari i makinës tip ‘Ford’. Ai pranoi se transportoi Jani Aliajn në lokalin ku ekzekutoi Çiçon. Makina u sekuestrua nga blutë disa dite me vonë në një parking në zonën e ish-Bllokut.
Emri i tij ka qenë i lakuar edhe më herët në dosjet e policisë. më 30 mars të vitit të kaluar, 37-vjeçari i lindur në Berat është dënuar nga Gjykata e Tiranës për mbajtje pa leje të armëve sportive, si dhe për kanosje të një personi.