Përtej entuziasmit të socialistëve, vizita dy ditore e Edi Ramës në qarkun Gjirokastër la edhe një shije të keqe. Për të sulmuar opozitën dhe modelin e saj të qeverisjes, Rama tregoi sërish Lazaratin si ‘karikaturë’ të PD-së. E përmendi dje në Gjirokastër, e përmendi edhe në Përmet. Në Lazarat vërtet kultivohej kanabis sepse kjo ishte politikë e PD-së, por ajo që ndodhi më pas në të gjithë Shqipërinë nuk mundet që Edi Rama ta mbulojë me fenomenin e Lazaratit.
Pas vitit 2014 Shqipëria u kanabizua e gjitha, u bë një Lazarat i madh dhe natyrisht që kjo ishte përgjegjësi e qeverisë së Edi Ramës. Pas 6 vitesh qeverisje të përdorësh ende Lazaratin si gjethe fiku për të mbuluar dështimet e tua në drejtim të luftës kundër kanabisit, apo për të sulmuar opozitën, kjo është e papranueshme. Lazarati nuk mund të tregohet ende si dele e zezë nga Edi Rama.
Fshati që ka mungesë investimesh dhe është zbrazur si kurrë më parë, nuk e ka hak stigmatizimin që Kryeministri i bën nëpër takime. Kjo qasje e tij ndaj Lazaratit është tërësisht e gabuar dhe sigurisht nuk i shërben as bashkëjetesës këtu në Gjirokastër. Lazaratasit janë shqiptarë dhe s’mund të ketë as gjyq publik as fajësim kolektiv për kanabisin.
Pavarësisht se Edi Rama e di se s’mund të marrë vota në Lazarat, kjo nuk i jep të drejtë atij të etiketojë fshatin si simbolin e kanabisit. Ky simbol ka rënë që në momentin kur Lazarat u bë e gjithë Shqipëria. Sot ai fshat ka nevojë për investime dhe një qasje tjetër të qeverisë. Kjo që po bën Edi Rama është gati në kufijtë e racizmit dhe duhet dënuar me forcë.
©argjiroja.net