TAP kalon në 201 km të tokës shqiptare, por nuk paguan transit fees. Kjo u zbulua përgjatë një cikli emisionesh kushtuar marrëveshjes qeveri shqiptare-TAP, që organizoi përgjatë një muaji, gazetarja Rudina Xhunga. Ish-ministri i energjetikes Damian Gjiknuri e pranoi si të vërtetë konkluzionin e specialistëve duke pohuar se nuk marrim nga TAP as gaz, as transit fees.
Kjo sipas Gjiknurit, sepse e tillë qe marrëveshja e TAP me qeverinë Berisha, në 2013, ku nuk përmendej fare transit fees.
Po a është përmendur ndonjëherë para nënshkrimit të marrëveshjes fjala transit fees? Po! Shqip ju sjell sot në kujtesë këtë titull interviste:
“Në qoftë se projekti i gazsjellësit Transadriatik-Pipeline do të jetë ai që do të përcjellë gazin në Europë, Shqipërisë do t’i sigurojë 100 mln euro çdo vit të ardhura në buxhetin e shtetit”, kështu është shprehur në një intervistë drejtori i kabinetit të Ministrisë së Energjetikes, njëkohësisht kryetari i grupit ndërministror për negociatat me TAP, Majlind Lazimi në shkurt të vitit 2012.
Pyetje: Konkretisht, Shqipëria çfarë përfiton nga projekti TAP?
Përgjigje: Projekti TAP i cili do të kalojë nga Shqipëria, është shumë i rëndësishëm për vendin tonë. Projekti konsiderohet si më i madhi në vend. Përveçse do ta fusë atë në hartën e përcjelljes së gazit në Europë, do të ketë përfitime fiskale, komerciale. Ne po negociojmë për sa i përket vendosjes së taksave, në mënyrë që të përfitojmë sa më shumë në drejtim të të hyrave në buxhet.
Për sa i përket taksave po negociohen një sërë taksash, ajo e tranzitit (fee transit), taksa e përfitimit (profit fee). Përveç taksave të kalimit, qeveria do të mbajë një sasi të gazit, e cila mund të përdoret për nevojat e vendit ose mund të shitet në shtetet fqinje.
Me një parashikim optimist, ne presim që përmes taksave të hyjnë në buxhetin e shtetit 100 mln euro në vit. Përveç këtyre do të hapen shumë vende pune dhe Shqipëria do të ketë mundësi që të gazifikohet dhe tregu energjetik të revolucionarizohet, duke pasur parasysh se bota në vitet e ardhshme do të përjetojë një epokë të artë të gazit, e cila do të konturojë zhvillimet ekonomike globale.
Ndërkohë ish-përfaqësuesi i EGL, kompanisë që krijoi TAP, Naskë Afezolli në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, ka sjellë tabelat e llogaritjes së parave që do të merrte Shqipëria si transit fees , duke krahasuar me modeli e vendeve të ngjashme me tonin që përfitojnë transit fees për kalimin e gazsjellësve në tokën e tyre.
Sipas zotit Afezolli, Shqipëria duhej të përfitonte rreth 93 milionë dollarë në vit. “Nëse sot do të merrnim transit fees, në buxhetin e shtetit do shtoheshin çdo vit minimumi 90 milionë dollarë”,- u shpreh Afezolli për Shqip nga Rudina Xhunga.
Tabela e përllogaritjes se sa milionë euro humbet Shqipëria ngaqë nuk përfiton transit fees!
“Nëse do merrnim transit fees, ne do të merrnim 90 milionë dollarë në vit. Nuk po them si Gjeorgjia që merr shumë dhe më shumë dhe nëse do të merrnim sa Gjeorgjia, do të skandalizoheshim për shifrën pasi sot çmimi është 1200 euro për metër/kub dhe nëse do të bënim një llogari do të merrnim 500 milionë euro në vit, e specifikoj nëse do të ishte me çmimin sot dhe nëse do të kishim marrëveshje si Gjeorgjia, por ne nuk mund të krahasohemi me Gjeorgjinë”, u shpreh Afezolli në Dritare TV.
Nëse kryetari i grupit negociues thoshte që Shqipëria do të përfitojë 100 mln euro ndërsa përfaqësuesi i EGL, kompanisë që ideoi TAP, shprehet se 90 milionë dollarë mungojnë në buxhet, atëherë pyetja që ngrihet është se ku shkuan këto para?
Ku shkuan paratë që TAP duhej të paguante për shtrimin e tubave të gazit në 201 km katrorë të territorit shqiptar?