Pamje të tjera janë publikuar nga radhët e krijuara para Ambasadës Shqiptare në Athinë, ku emigrantët janë paraqitur për të tërhequr mjetet e identifikimit. Një prej tyre ka filmuar çdo gjë, duke treguar radhën e personave që presin në diell dhe pa e ruajtur distancën ndaj pandemisë së koronavirusit.
Edhe pse kjo situatë është denoncuar disa herë prej shqiptarëve që jetojnë në Greqi, Ambasada nuk ka marrë asnjë masë për të mos e kthyer zyrën e pritjes së qytetarëve në një “çerdhe” të pandemisë.
“Shikoni ju lutem se çfarë heqin shqiptarët këtu në Greqi. Është gjendje tmerri! Shqiptarët nuk duhet të trajtohen kështu. Shikojeni çfarë ndodh. Shikoni masat e COVID, ja ky është shteti shqiptar. Presim me radhë të gjatë në këtë situatë të vështirë. Tani kjo është ideja. Shikoni dhe nga krahu tjetër. Presin njerëzit,”-shprehet qytetari.
Ditën e djeshme, Ambasada Shqiptare në Greqi publikoi oraret dhe mënyrën e procedimit të shpërndarjes të pasaportave dhe të kartave të identitetit.