Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja e rëndë në Gjirokastër, ku është goditur efektivi i Policisë së Shtetit, Sokrat Muho. Mësohet se ai ka pasur debate me tre bashkëfshatarët e tij nga fshati Progonat i Tepelenës dhe sot ata i kanë nxjerrë inatin duke e rrahur në Gjirokastër në vendin e quajtur “Ura e Lumit”.
Thuhet se të tre këta persona kanë qenë nën efektin e alkoolit kur nisi sherri për motive banale. Efektivi i policisë është transportuar në spitalin “Omer Nishani” për ndihmë mjekësore. Dyshohet se ai është goditur me bishtin e kazmës ose me një levë hekuri.
Më poshtë njoftimi i plotë i policisë për ngjarjen.
Rreth orës 12:45, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, persona të paidentifikuar kanë goditur me sende të forta shtetasin S. M., punonjës policie i DVKM Gjirokastër, jashtë orarit të punës, i cili është transportuar në Spitalin Rajonal Gjirokastër, për të marrë ndihmën mjekësore. Është identifikuar dhe shpallur në kërkim njëri nga autorët e dyshuar, shtetasi G. Zh. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit, me qëllim kapjen e shtetasit G. Zh., identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë.