Ish-deputeti i LSI-së në Gjirokastër, Vangjel Tavo, vijon akuzat ndaj qeverisë dhe atij që ai e quan sekti i rilindjes, ndërsa LSI-në ku bën pjesë vetë e konsideron “frontin e shpresës”. Përmes komunikimit javor në Facebook, Tavo shkon edhe më tej duke sulmuar reformën në drejtësi.
“Drejtësia do jetë në rolin e saj që i takon. Një drejtësi e pavarur nga politika. Jo si kjo e sotmja që përmes një palo vetting-u selektiv, gjyqtarët që dënuan kriminelët me burgim të përjetshëm hidhen në rrugë, ata që i nxorrën nga burgimi i përjetshëm mbahen në detyrë, sic ishte rasti i fundit para pak ditësh”, shkruan Tavo.
Në vijim ai thotë:
“Ky sekt, ky kancer i madh për vendin do largohet, dhe fronti i shpresës do nisë menjëherë punën të jetë në krah dhe mbështetje të cdo qytetari, fshatari, emigranti, të riu apo pensionisti. Ky është një premtim. Ky është një mision”.
Vangjel Tavo ka 24 vite deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në më shumë se gjysmën e karrierës së tij politike ai ka qenë në pushtet. Nëse Shqipëria është sot ajo që ai përshkruan, Tavo ka po aq përgjegjësi sa e gjithë klasa politike shqiptare. Pas 24 vitesh ta konsiderosh veten sërish “front shprese” është vërtet delir i madh.
©argjiroja.net