Ish-deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, ka komentuar raportin e INSTAT për ndryshimet demografike, ku Gjirokastra është sot qarku që ka gjysmën e popullsisë që kishte 20 vite më parë. Në Gjirokastër në 2020-n jetonin 59 mijë banorë, nga rreth 113 mijë në vitin 2001. Por ndërkohë Tavo ia faturon tinëz këtë ulje të popullsisë qeverisë “Rama”, pjesë e të cilës ai ishte vetë para 4 vitesh. Popullsia në Gjirokastër është përgjysmuar prej vitit 2001 thotë INSTAT, jo prej vitit 2017 sikundër lë të kuptohet Tavo. Ish-deputeti i LSI-së thotë gjithashtu se “duhen krijuar mundësi punësimi për rininë tonë”, a thua sikur na tregon dicka që s’e dimë. Ndërkohë Tavo “harron” se vetë është në politikë prej 24 vitesh.
Nëse Gjirokastra është shpopulluar prej vitit 2001, Tavo dhe e gjithë klasa politike kanë peshën e tyre të fajit. Eshtë e pamoralshme të dalësh sot e të vësh kujën për shpopullimin e Shqipërisë. Tavo së paku dhe të ngjashmit e tij në politikë duhet të heshtin sepse ata janë fajtorët kryesorë për këtë gjendje. Prej 2001 kur ka nisur ky shpopullim e deri në vitin 2017 Vangjel Tavo ka qenë në pushtet, jo në opozitë. 2001-2005 qeveria e Fatos Nanos, 2009-2013 qeveria PD-LSI, 2013-2017 qeveria PS-LSI. Ajo që ai thotë sot është thjesht retorikë para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Reagimi i plotë i Tavos
Vazhdon zvogëlimi i popullsisë në qarkun e Gjirokastrës. Sipas të dhënave të INSTAT në raport me popullsinë përkatëse, qarku që është reduktuar më shumë është Gjirokastra, që pothuajse është përgjysmuar. Në Gjirokastër në 2020-n jetojnë vetëm 59 mijë banorë. Kjo ka bërë që ky qark të jetë sot më i vogli në vend. Kjo është alarmante për qarkun tonë. Shpopullimi, papunësia dhe kushtet e vështira të jetesës po detyrojnë banorët e qarkut të largohen masivisht. Duhen krijuar mundësi për rininë tonë! Qarkut tonë të mrekullueshëm i duhet rikthyer jeta dhe mbi të gjitha shpresa! STOP politikës së shpopullimit! Qarku i Gjirokastrës, zemra e jugut të Shqipërisë meriton zhvillim, punësim dhe jetë më të mirë për çdo banor!