Ish-deputeti i LSI-së në Gjirokastër, Vangjel Tavo, ka bërë sot një reagim për spitalin “Omer Nishani”. Sipas tij ky spital do të jetë periferik pasi spitali i Fierit do të mbajë statusin e spitalit rajonal. Ndoshta i xhelozuar nga investimi turk në spitalin e Fierit, që pritet të nisë së shpejti, Tavo akuzon qeverinë për braktisje të Gjirokastrës dhe rrënim të spitalit “Omer Nishani”.
Ai publikon edhe dy foto që pretendon se janë shkrepur nga brenda spitalit. Që spitali i Gjirokastrës ka nevojë për rikonstruksion, ky nuk është ndonjë lajm, por që Tavo të shmanget nga përgjegjësia për atë që ndodhi, kjo nuk është korrekte. Gjatë këtyre 8 viteve, të paktën dy nga drejtuesit e spitalit të Gjirokastrës ishin njerëz të LSI-së. Njëri largonte nga puna njerëzit përmes letrave me vrimë, skandal që u denoncua nga “Fiks Fare”, tjetrin e shkarkuan për abuzim me fondet e spitalit.
Vangjel Tavo e ka drejtuar spitalin e Gjirokastrës që prej vitit 2009 me Genci Sinojmerin e deri në vitin 2017 me Krenar Kullën. Thënë këto, nuk ka LSI-ja dhe Vangjel Tavo një model suksesi në spitalin e Gjirokastrës dhe në asnjë institucion tjetër. Legjitime plotësisht është opozita me qeverinë, por të paktën të përmbahen disi. Vangjel Tavo bën sikur sapo zbriti nga Hëna dhe befas gjeti një Shqipëri të rrënuar nga Edi Rama. Gjoja harron se ka vetë mbi 20 vjet në politik dhe në këto 8 vite qeverisje të Edi Ramës, 4 vite ai ka qenë pjesë e tepsisë dhe timonit të Rilindjes. Më poshtë reagimi i tij i plotë.
SKANDALI I RADHËS/ “Rilindja” largon edhe një shërbim tjetër nga Gjirokastra. Duhet qartë dita-ditës se “rilindja” qëllimisht po e izolon qarkun e Gjirokastrës, po e rrënon dhe po e zbraz me një plan të qartë dashakeq. Pasi largoi nga Gjirokastra të gjitha institucionet: Drejtoria Rajonale e Bujqësisë; Drejtoria Rajonale e Arsimit; Arkivi; Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial; Drejtoria e Peshëmatjeve (DPM); Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujerave dhe Turizmit (ISHMPUT), shërbimi i Extensionit (këshillimit të fermerëve) duke lënë pas dore fermerët, etj, së fundmi po i heqin edhe një shërbim tjetër Gjirokastrës duke e kthyer Spitalin në Gjirokastër bashkiak, me shërbime të kufizuara, dhe duke caktuar si spital rajonal për të gjithë jugun Spitalin e Fierit. Banorët e Gjirokastrës do detyrohen të shkojnë në Fier për të marrë shërbimet shëndetësore. Por nuk mbaron me kaq. Po bëjnë gati dhe institucione të tjera që do t’ia heqin Gjirokastrës.
Ky është plan dashakeqës dhe diskriminues. “Rilindja” e ka mjeruar këtë qark me qëllim dhe kërkon ta izolojë. Ta kthejë nga zemra e jugut tē Shqipërisë në një xhep e provincë të humbur. Përse po e zhvlerësoni dhe po e zbrazni Gjirokastrën? Përse e keni shkatërruar me kaq përkushtim? Më 25 prill “rilindja” do largohet përgjithmonë. Të gjitha institucionet dhe drejtoritë rajonale që “rilindja” i largoi do kthehen sërish në Gjirokastër dhe jo vetëm do rihapen vendet e punës por do jenë në numër më të madh. Dhe spitali i Gjirokastrës do mbetet rajonal e do ketë investime dhe jo në këtë gjendje që është sot. Mjerim, shpopullim dhe shkatërrim. Ky ishte shpërblimi që u dha “rilindja” votuesve që i besuan. Gjirokastra u shkretua prej marrësisë së “rilindjes”
Qyteti i UNESCO-s u braktis. Njerëzit po largohen çdo ditë. Më 25 prill, të gjithë së bashku, njerëz të thjeshtë dhe socialistë të ndershëm, t’i kthejmë dinjitetin Gjirokastrës dhe ta zhvillojmë, me vende pune, dhe ta nxjerrim nga mjerimi që solli sekti malinj i “rilindjes.” Këto foto janë nga Spitali i Gjirokastrës, i lënë qëllimisht në këto kushte për shkak të planit dashakeq të sektit të “rilindjes” për ta zhvlerësuar e për t’i dhënë titullin rajonal spitalit të Fierit.