Uji i Ftohtë në Tepelenë, është një nga zonat me peisazhin më të veçantë, me burime të shumta uji të pastër dhe të ftohtë, prej nga ka marrë edhe emrin.
Në këto ditë të nxehta vere ky destinacion është kthyer në një pikë mjaft të frekuentuar nga turistët e huaj. Burimet natyrore rrjedhin në këtë hidromonument që gjendet në të majtë të aksit Tepelenë -Gjirokastër, pak pas degëzimit që të çon në Përmet. Zhurma e ujit, bimësia e dendur e kanë kthyer këtë vend në një stacion pushimi tepër të dëshiruar jo vetëm për udhëtarët por edhe për turistët që vijnë nga larg.
Turiste: “Jam nga Gjakova dhe Uji i Ftohtë është një mrekulli. Këtu më pëlqen çdo gjë sidomos bukuria e vendit dhe mikpritja.”
Ndryshe nga pamja e mrekullueshme që të ofron Uji i Ftohtë në pjesën e dukshme nga të gjithë jo e njëjta pamje ofrohet në pjesën e poshtme, aty ku edhe frekuentimi nga banorë të zonës është më i lartë.
Qytetarët e Tepelenës dhe të fshatrave përreth zgjedhin që në fundjavë të kalojne pak kohë nën rrezet e diellit, si dhe të shijojnë rrjedhën e lumit, ku për fat të keq për të mbërritur në destinacion do të duhet të kalosh shumë peripeci.
Që nga shkallët e shkatërruara, mbeturinat që kanë pushtuar gjithë pjesën e poshtme dhe lumi uji të cilit është dukshëm i ndotur, janë ato që të ofron rrjedha e Vjosës në Ujin e Ftohtë në Tepelenë, një fatkeqësi e madhe dhe ndotje masive që kërkon ndërhyrjen emergjente të instancave përkatëse dhe mbi të gjitha përgjegjshëmri qytetare.
Bimësia e pasur e Parkut Natyror, e bën zonën piktoreske një nga më të veçantat duke lënë padyshim mbresa tek çdo pushues por jo tek qytetarët e Tepelenës, Gjirokastrës dhe zonave përreth që dëshirojnë të shijojnë një fundjavë ndryshe nën mrekullinë e natyrës së Ujit të Ftohtë./ora news