Çdo përpjekje për të hyrë në llogarinë e Twitter-it të qeverisë hungareze është përballur me mesazhin “përdoruesi @abouthungary është pezulluar”. Faqja zyrtare e qeverisë hungareze në Twitter është bllokuar pa asnjë paralajmërim. Zëdhënësi i qeverisë, Zoltan Kovacs ka njoftuar lajmin përmes një postimi në profilin e tij në të njëjtin rrjetin social.
“Ne kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe jemi duke pritur një shpjegim zyrtar nga Twitter”, shkruan Kovacs. Kovacs e quajti pezullimin si një akt censure kundër qeverisë së kryeministrit, Viktor Orban, duke thënë me ironi: “Më në fund, një botë e re dhe e bukur ka ardhur, në të cilën kompanitë e teknologjisë po heshtin ata që kanë mendime të ndryshme”. Adresat e tjera të institucioneve shtetërore duket se janë funksionale.