Nga Mero Baze
Kompletimi i drejtuesve të qarqeve nga Partia Demokratike, provoi keqpërdrimin dhe talljen që ju bë Komisionit “Ruli-Nishani”, nga kreu i PD Lulzim Basha. Në fund të procesit të ashtuquajtuar “paraeleminator”, në Partinë Demokratike, e vetmja gjë e eleminuar është puna e Komisionit.
Lulzim Basha për të hequr përgjegjësinë nga vetja, ngriti këtë komision gjoja të pavarur vlerësimi për cilësinë e kandidatëve, dhe sot rezultoi se asnjë nga kriteret e shpallura të tij nuk u respektua, asnjë nga vlerësimet e tij për skualifikim nuk u respektua, plus anëtarë të Komisionit që u trajtuan si të pavarur, u shpallën vet drejtues qarqesh.
Kështu Mark Marku drejtues i Qarkut të Lezhës pasi përzgjodhi kandidat për gjithë Shqipërinë, vet përzgjidhet nga Basha të jetë i pari i Qarkut Lezhës, ndërkohë që kriteri i Komisionit ishte, se anëtarët do rinin larg garës.
Më tej akoma Tritan Shehu i skualifikuar nga ky Komision për mungesë mbështetje në bazë të partisë, u zgjodh sot drejtues i Qarkut të Gjirokastrës. Të kualifikuarit e Komisionit nuk i hynë më në punë askujt pasi ata po prezantohen si pjesë e të drejtës së kryetarit për të mbushur 20 për qindshin kryesor të listës, çka është në të vërtet e gjithë pjesa fituese e listës.
Zhvlerësimi i Komisionit, duket se mori rrugë nga momenti kur Berisha, u përfshi në polemikë publike me Genc Rulin pas sugjerimit të tij që Berisha nuk duhet të kandidonte. Ai tha se Ruli shpesh është “viktimë e mençurisë së vet”, dhe në fakt prej atij momenti Basha zhvlerësoi vendimet e Komisionit dhe e bëri atë të paqenë si institucion, edhe pse e trumbetoi si zgjidhje demokratike.
Po ashtu Komisioni duket se i hapi telashe dhe nga budallallëku brenda partisë, kur Buja Nishani u përfshi në polemika me Romeo Gurakuqin, duke e akuzuar me dokumenta fallco për bashkëpuntorë sigurimi dhe duke ngjallur ilaritet në degën e Shkodrës.
Zhvlerësimi i Komisionit me sa duket u bë i nevojshëm nga Berisha si një gjë që nuk vlen dhe që PD nuk duhet ta marr parasysh.
Tani të vetmit fatkeq janë disa të skualifikuar, të cilët nuk kanë të gjithë fatin e Tritanit, por që kanë të drejt të pretendojnë të jenë diku në listë, edhe pse jo në krye. E vetmja risi që solli ishte polemika e Nishanit me Gurakuqin, por atë budallallëk Bujari mund ta bënte dhe pa qenë në Komision. Kurse meraku Besnik Mustafaj se fjala e tyre do të dëgjohej është realizuar. Fjala është dëgjuar, por nuk është pranuar. Komisioni që u ngrit për të skualifikuar më të dobëtit, në fund doli e vetmja gjë e skualifikuar nga ky proces./ TemA