Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, ka publikuar provat që vërtetojnë se Jorgo Toto është Agim Kajmaku, i arrestuar në Greqi në vitin 2003. Në momentin e arrestimit në Greqi, Kajmakut i është gjendur edhe pasaporta me numër unik dhe sipas Bardhit, me këtë numër, pas verifikimeve në Shqipëri në sistemin TIMS, është pikërisht Agim Kajmaku. Ky dokument provon se Kajmaku është personi i arrestuar në Janinë, me akuzën e parave të falsifikuara.
“Në faqen 13 të vendimi që publikuam dje, thuhet se shtetasi i arrestuar për krimin që dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim, është shtetasi shqiptar Jorgo Toto, që posedon pasaportën me nr. Z 0148497. Sipas rregullave në fuqi, kur një shtetas pajiset me pasaportë, të dhënat e tij hidhen menjëherë në sistemin shtetëror TIMS. Këtë dokument autentik ne e posedojmë dhe, nëpërmjet tij, provojmë në mënyrë të pakundërshtueshme se Agim Kajmaku i Bashkisë së Vorës është Jorgo Toto, i arrestuar në vitin 2003 në Greqi.
Sipas sistemit shtetëror TIMS, Agim Kajmaku (që është ekzaktësisht personi që shikoni në foto), kur ka patur emrin Jorgo Toto, i datëlindjes 06.07.1971, i biri i Imer dhe Maxhe, ka qenë posedues ekzaktësisht i pasaportës me Nr. Z 0148497. Kjo është një provë e pakontestueshme që Jorgo Toto i arrestuar në Greqi me pasaportën me nr. Z 0148497, është Jorgo Toto, që ju shikoni në foto, me pasaportën me nr. Z 0148497, dhe që sot mban emrin Agim Kajmaku.
Agim Kajmaku është në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia greke. Kajmaku është fajtor për fshehjen e krimit në formularin të dekriminalizimit. Me alibinë se Jorgo Toto është një emër tjetër dhe jo Agim Kajmaku, Edi Rama kërkon të mashtrojë qytetarët”, – tha Gazment Bardhi.
Dokumenti i vendimit të gjykatës greke, ku është shënuar numri i pasaportës që ju gjet Jorgo Totos në momentin e arrestimit. Me këtë numër pasaporte në Shqipëri rezulton vetëm Agim Kajmaku.