Luftëtari, sot pasdite do të luajë një tjetër test në tokën greke duke u përballur me skuadrën e Korfuzit. Gjirokastritët kanë zgjedhur dy ndeshjet me skuadra të shtetit helen, për të matur më mirë forcat, ndërsa pritet që në këtë sfidë ta shoh skuadrën edhe trajneri i ri.
Giorgos Marantas që ka marrë përsipër të shpëtojë skuadrën e Luftëtarit këtë sezon nga rënia nga kategoria pritet që të njihet më nga afër me grupin e lojtarëve, ndërkohë që bëhet e ditur, se ai ka mbërritur në qytetin e Gjirokastrës që të enjten në mbrëmje. Madje, ai ka drejtuar edhe seancën e sotme stërvitore duke bërë edhe prezantimin para skuadrës dhe lojtarëve.
Por, miqësorja e sotme me Korfuzin që luhet në orën 17:00, pritet që të sjellë edhe disa skarcime nga bluzinjtë. Disa nga afrimet nuk kanë bindur, ndërsa pritet që të ketë edhe huazime në skuadrat fqinje të Kategorisë së Dytë.
Luftëtari ka mbipopullim të organikës, ndërsa drejtuesit kanë parë se disa lojtarë në 3 ndeshjet e parë nuk janë për Luftëtarin dhe që të përballojnë ndeshjet e Superiores.