Të kryesosh kampionatin prej kaq shumë javësh pa dyshim është zotësi e në rast se lë pikë rrugës e rivali nuk përfiton, deri diku, mund të llogaritet dhe si fat, ndonjëherë i tepruar, por kjo ka ndihmuar shumë Partizanin që të vijojë me hapin e kampionit edhe kur nuk ia ka dalë të fitojë sfidat, ashtu sië ndodhi fundjavën e lënë pas, kur të kuqtë ndanë 1 barazim me Laçin, teksa Kukësi bëri të njëjtën gjë me Teutën, duke mos iu afruar kryesuesve në renditje.
Sfidat e radhës për Partizanin nuk janë të lehta, me Flamurtarin në Vlorë, më pas në derbi me Tiranen, ndaj Teutës në Durrës ndërsa javën e parafundit me Kukësin në “Selman Stërmasi”, për ta mbyllur rrugëtimin në Gjirokastër ndaj Luftëtarit. Një kalendar jo i lehtë, por duke pasur parasysh ecurinë e Kukësit dhe faktin që të kuqve iu mjaftojnë dy fitore për të mbyllur llogaritë, gjithçka bëhet më e lehtë.
Skuadra e Ernest Gjokës në vijim do të marrë 3 pikët me Kamzën e do të udhëtojë në Gjirokastër me 55 pikë, ndërsa Skënderbeun, pasi të kenë ndarë “hesapet” në Kupë, e pret në Kamëz për 3 pikët e kampionatit. 1 javë nga fundi do të ketë duelin direkt me Partizanin, për të mbyllur gjithçka në ndeshjen e fundit me Kastriotin.
Me shumë mundësi çështja e titullit do të mbyllet shpejt, me të kuqtë që kanë mundësinë e mirë ta sigurojnë nëse fitojnë në derbi, gjithmonë pasi të kenë siguruar 3 pikë ndaj Flamurtarit më parë. Tjetër mundësi e mirë është dhe një ndalesë e radhës nga Kukësi, që do t’i bënte më të lehta punët për skuadrën e Skënder Gegës.
Gjasa ka gjithashtu që titulli të vijojë të jetë në lojë, me Partizanin që “harron” të fitojë dhe me Kukësin që nuk gabon më. Partizani, praktikisht, e ka fituar kampionatin, të kuqtë kanë në dorë vetëm ta humbin trofeun.