Ekipi i Luftëtarit që sezonin e kaluar zbriti nga Superliga tani nuk ekziston më. As lojtarë, as trajner dhe as president. Kjo situatë ka revoltuar tifozët të cilët thonë se ky është një qamet, ndërsa kërkojnë zgjidhje nga bashkia.
Sezonin e kaluar ata ranë në kategorinë e parë, por tani nuk duken gjëkundi, pasi ekipi nuk ekziston. Tifozët e Luftëtarit kanë apeluar te bashkia e Gjirokastrës, që të ndërmarrë hapa konkret për ekipin. “Kemi kërkuar nga Bashkia e Gjirokastrës, pasi i jemi drejtuar asaj sepse nuk kemi ku shkojmë tjetër. Rrezikohet emri i Luftëtarit, kërkojmë ekzistencën e ekipit. Nuk ka më qamet, më të zezë. Nuk është vetëm ekipi i parë, por edhe moshat. Ku do t’i çojnë prindërit fëmijët? Nuk ka hata më të madhe se kjo që i bëhet qytetit. Basketboll jo dhe futboll jo. Futbolli ishte i fundit, – tha për mediat njëri prej tyre.
Ndëkrohë që një sportëdashës tjetër shjtoi se: “Ekipi i Lufëttarit na dhemb të gjithëve, sepse këtë gjendje nuk e dëshiron asnjë prej tifozëve. Ne duam që të kthehet në nivelin e kënaqshëm, që të gjithë sportdashësit dhe tifozët të kujtojnë ato vitet e arta.”
Sakaq një tjetër tifoz u shpreh: “Është detyra e bashkisë ta marrë sërish futbollin, ta trajtojmë me taksat e qytetarëve, që Gjirokastra të mos mbetet pa futboll.”
Bashkia, e cila zotëron 26% të aksioneve, ka premtuar një zgjiedhje afatshkurtër, por në kushtet aktuale asgjë nuk duket e besueshme. Nëse nuk ka një reagim të menjëhershëm, tani kur kampionati mund të nis nga momenti në moment, Luftëtari rrezikon seriozisht shpërbërjen…