Roland Bejko ka bërë një reagim pas akuzave të mbrëmshme të Halim Kosovës për Tritan Shehun dhe Genc Rulin. Edhe pse nuk përmend emra ne shkrimin e tij, Bejko paralajmëron Bashën për korrigjime deri më datë 8 mars, kur skadon afati i zyrtarizimit të kandidatëve për deputete.
“Për të akuzuarit: Gjithsesi, tani që ujët u turbulluan, nëse ka vend për korrigjime, deri në datën 8 mars duhet të bëhen. Kjo nuk është punë krenarie. PD s’mund të jetë “Shtrati i Prokrustit” natyrisht”, shkruan Bejko.
Dihet që mes tij dhe Tritan Shehut ka një rivalitet për të qenë në krye të listës së demokratëve në Gjirokastër. Disa ditë më parë Bejko tha se duhet pyetur Lulzim Basha se përse hodhi posht vendimin e komisionit “Ruli” për skualifikimin nga gara të Tritan Shehut. Një natë më parë Halim Kosova hodhi akuza të rënda ndaj Tritan Shehut, duke i përmendur edhe ndërhyrjen për një tender korruptiv 500 mijë dollarë. Më poshtë reagimi i plotë i Bejkos.
Kur perënditë zihen në Olimp, rrufetë bien mbi tokësorët!
Për akuzuesin: Politika është si ajo autostrada me katër korsi që nëse guxon e ndalon në kulmin e shpejtësisë merr në qafë jo vetëm veten, por edhe gjithë bashkëudhëtarët e tjerë. Prandaj janë PitStopet që kur të ndihesh i lodhur dhe do të pushosh, mund të hapësh krahun butësisht, pasi je njoftuar të paktën 5 km më parë për vendpushimin e ri…ndryshe aksidenti automobilistik, është fatal. PitStopi i rradhës politik, është pas 25 Prillit të dashur miq! Që do të thotë, se deri atëherë gjuha duhet futur në “frigorifer”. Ç’do prishje e këtij rregulli, shkakton aksidente politike me dëme të pamata që thjesht avantazhojnë kundërshtarin. Jo më kot Sartori thotë se,” Gjuha politike është arti i të fshehurit të mendimit” Ups! Zanat i vështirë politika! Me gjithë respektin dhe vlerësimin e madh që kam, jo detyrimisht një profesionist i mirë, mund të jetë edhe një politikan i mirë.
Për të akuzuarit: Gjithsesi, tani që ujët u turbulluan, nëse ka vend për korrigjime, deri në datën 8 mars duhet të bëhen. Kjo nuk është punë krenarie. PD s’mund të jetë “Shtrati i Prokrustit” natyrisht.