Mesazhe të shumta ngushëllimi vijnë ng e gjithë bota për Shqipërinë në këto orë të vështira.Vittorio Sgarbi, një personazh i famshëm në Itali dhe kontravers, ish-deputet, kritik arti, historian arti, politikan, ka shprehur solidaritet me popullin shqiptar pas tërmeteve të fuqishme që goditën vendin mëngjesin e sotëm.
Përmes një postimi në “Facebook”, Sgarbi përdor një fjalë të urtë për të karakterizuar shqiptarët dhe për t’i inkurajuar në këto momente të vështira.
“Një fjalë e urtë thotë: ‘Supet e maleve dhe supet e shqiptarëve nuk janë kërrusur kurrë’. Pra, një shqiptar mund ta përkulësh vetëm kur të përkulësh një mal’. Jam pranë popullit shqiptar”, shkruan Sgarbi.
Tërmet i fortë me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter dhe me intensitet 7 ballë goditi vendin në orën 03:55 minuta të mëngjesit të sotëm. Epiqendra ka qenë në Shijak, 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana dhe lëkundjet ishin shumë të forta sa rrëzuan pallate dhe banesa. Deri më tani raportohet për 20 viktima dhe mbi 600 të plagosur.