Pas 24 orësh në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës është kthyer në funksion sistemi TIMS, sulmi kibernetik ndaj të cilit bëri që në këtë pikë kufitare të procedohet me regjistrimin manual të udhëtarëve. Prej mëngjesit të së dielës puna ka vijuar normalisht ndërsa është shënuar fluks automjetesh dhe udhëtarësh si në dalje dhe në hyrje. Më herët gjatë ditës Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, reagoi për rivënien në punë të sistemit TIMS në disa pika të tjera kufitare të vendit.
“Prej mesnatës sistemi TIMS është rikthyer në funksion të plotë në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas. Po kështu është rivënë në punë edhe në pikat e tjera kufitare të vendit: Hani i Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë, dhe Kakavijë. Aktualisht ekspertët tanë po vijojnë punën e pandërprerë për rikthimin e sistemit TIMS në Pikat e tjera të Kalimit Kufitar si dhe po marrin masat nevojshme për të mos pasur më ndërprerje. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve që janë ndeshur me vonesa. Ne kemi punuar prej momentit të parë kur u detektua sulmi kibernetik, për të garantuar mbi të gjitha paprekshmërinë e të dhënave dhe më pas për rikthimin në normalitet në kohën më të shpejtë të mundshme”, shkruan Çuçi.