Që nga nisja e pandemisë Ballkani po përballet me kapacitete të dobëta në sektorin e shëndetësisë, sipas Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC). Shpenzimet publike për shëndetësinë janë të ulëta dhe shpesh në rënie në të gjithë rajonin.
Sipas RCC, Shqipëria dhe Kosova kanë një nivel shumë më të ulët se edhe mesatarja e rajonit, për shpenzimet publike.
Në vitin 2019, Shqipëria shpenzoi 2.9% të PBB-së për sektorin e shëndetësisë, duke lënë pas vetëm Kosovën, teksa Bosnja, Serbia dhe Mali i Zi dhe Maqedonia i kishin shpenzimet për Shëndetësinë mbi 5%. Ndërsa shpenzimet mesatare të BE-së për shëndetësinë më 2019 ishin sa 7% e PBB-së. Gjithashtu numri i mjekëve dhe numri i shtretërve spitalorë mbetet dukshëm më i ulët sesa mesatarja e BE-së. Migrimi i profesionistëve shëndetësorë është shndërruar në shqetësim në rritje.
Shpenzimet e larta nga xhepi (deri ne 50% ne Shqipëri) zbulojnë mangësitë e sistemit shëndetësor dhe pamundësinë për të përmbushur nevojat e qytetarëve.
Shpenzimet nga xhepi për kujdesin shëndetësor variojnë ndërmjet rreth 1/3 dhe 1/2 të shpenzimeve totale shëndetësore në rajon. Për më tepër, nevojat e paplotësuara të kujdesit shëndetësor janë më të shpeshta në Serbi (5.8% e popullsisë, krahasuar me 2% në BE) dhe BiH (5.1% e popullsisë) ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut me rreth 2.3% krahasohen më mirë me BE.
Qendrat e kujdesit shëndetësor janë zakonisht të shtrenjta dhe të dizajnuara për përqindje më të vogël të qytetarëve. Spitalet private ekzistojnë, por shërbimet janë të shtrenjta dhe nuk janë të hapura për publikun e gjerë.
Banka Botërore lajmëroi së fundmi se, ka rëndësi kritike që qeveritë të veprojnë pa vonesë dhe me vendosmëri për t’i mbrojtur të ardhurat për sistemet shëndetësore, po të kemi parasysh se priten epidemi të tjera në të ardhmen./ Monitor