Më shumë se shtatë orë gjumë lidhet me performancën më të keqe njohëse dhe shëndetin mendor.
Studimi i rreth 500,000 të rriturve nga 38 deri në 73 vjeç zbuloi se gjumi i tepërt ose i pakët ishin të lidhur me performancën më të keqe njohëse. Gjithashtu ndikon dhe në shëndetin mendor, duke nxitur ankthin dhe depresionin.
Barbara Sahakian, nga departamenti i psikiatrisë i Universitetit të Kembrixhit, tha se më shumë se shtatë orë ndikonin për keq.
“Është shumë e qartë se proceset që ndodhin në trurin tonë gjatë gjumit, janë shumë të rëndësishme për ruajtjen e shëndetit tonë fizik dhe mendor”,shton Sahakian.
Fjetja e një nate të mirë, shtoi ajo, ishte e rëndësishme në të gjitha fazat e jetës, por veçanërisht kur njerëzit plaken.
Një arsye e mundshme për lidhjen midis gjumit të pamjaftueshëm dhe rënies njohëse mund të jetë ndërprerja e gjumit. Kjo gjë sjell pasoja sepse gjumi është i rëndësishëm për konsolidimin e kujtesës.
Studimi, i cili përdori të dhëna nga Biobank në Mbretërinë e Bashkuar, përfshiu imazhe të trurit dhe të dhëna gjenetike për pothuajse 40,000 pjesëmarrës. Ai zbuloi se zona e trurit më e prekur nga gjumi ishte rajoni që përmban hipokampusin, qendrën e kujtesës së trurit.
Analiza zbuloi se njerëzit që flinin shtatë orë në natë dolën më mirë në testet e kryera. Testet përmbanin shpejtësinë e përpunimit, vëmendjen vizuale, kujtesën dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve.
Megjithatë, studimi nuk provon një lidhje shkakësore. Lidhja midis gjumit dhe disa çrregullimeve të trurit është komplekse. Për shembull, pagjumësia janë një simptomë e zakonshme tek njerëzit me demencë.
“Nuk mund të themi përfundimisht se shumë pak ose shumë gjumë shkakton probleme njohëse. Por analiza jonë duket se e mbështet këtë ide”,tha Jianfeng Feng, nga Universiteti Fudan në Shangai.
Hulumtimi është publikuar në revistën “Nature Aging”.
The Guardian“Si”