50 infermierë të rinj i bashkohen stafit mjekësor të spitalit Covid2 “Shefqet Ndroqi” në luftë kundër Covid19. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka takuar infermierët e rinj në spitalin COVID2, duke theksuar se forcimi i kapaciteteve spitalore edhe me burime njerëzore është në fokus të qeverisë.
“Një pjesë e juaj, pra e armatës së re të spitalit “Shefqet Ndroqi” janë edhe një pjesë e infermierëve të cilët kanë qenë në misionin e parë të dërguar në Itali dhe kanë marrë aty eksperiencën e nevojshme, eksperiencë e cila patjetër do të transmetohet tashmë në këtë spital. Janë 50 infermierë që i shtohen spitalit COVID2”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se po bëhet një punë e madhe nga mjekët dhe infermierët në spitalet COVID, që çdo ditë trajtojnë raste të rënda të konfirmuara pozitive por edhe raste të cilat janë të dyshuara.