Palët nuk po e ndalin retorikën e zjarrtë. Shanset që të ketë një zgjidhje brenda vendit, duken të pakta. Por a mund të zgjidhet situata me një marrëveshje të imponuar nga Bashkimi Europian, më konkretisht nga Berlini? Rasti i ngjashëm i fqinjit tonë
Thonë se djalli fshihet nëpër detaje. Kriza politike ka prodhuar shumë informacione, duke e bërë gjithmonë e më të vështirë për të kuptuar situatën ku është drejtuar vendi ynë. Pikërisht këtë fjali përdori një ditë më parë edhe Milan Nic, drejtues i një prej organizatave më të njohura të mendimit në Europë, GLOBSEC. Ai shkruan se Edi Rama nuk është më i besueshëm për Berlinin. Por komenti i tij nuk ka për qëllim të tregojë këtë fakt. Nic synon të tregojë se Bashkimi Europian po e tradhton Maqedoninë e Veriut për shkak të Shqipërisë.
Nic nuk është i vetëm në këto deklarata. Edhe revista Economist i kushtonte një artikull faktit që BE mund të zhgënjejë Maqedoninë e Veriut pasi ajo i ka përmbushur detyrimet për nisjen e negociatave. Janë të shumtë artikujt në median gjermane që kërkojnë nisjen e negociatave për Maqedoninë, por kur bie fjala për Shqipërinë, ndryshon puna. Vetë kryeministri maqedonas Zoran Zaev e pranon në një intervistë të enjten në Frankfurter Allgemeiner Zeitung se vendet kryesore të BE nuk e kanë problemin me Maqedoninë e Veriut, por me Shqipërinë. Madje ai i kujton kancelares Angela Merkel se u kishte premtuar maqedonasve se nëse zgjidhin mosmarrëveshjen e emrit, do hapen negociatat.
Gazetarja Adelheid Woelfl, një njohëse e mirë e rajonit, shkruan në artikullin e saj të radhës në Der Standard se vendosmëria gjermane kundër Shqipërisë, po penalizon Maqedoninë.
***
Duke u rikthyer te djalli dhe detajet, një tjetër njohës i mirë i Shqipërisë, gazetari i të përditshmes prestigjioze gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, Matthias Rueb, tha të enjten se jo vetëm Berlini, por edhe në Bruksel po pakësohet mbështetja për Edi Ramën dhe qeverinë e tij.
“Për kryeministrin Rama është një problem që në Bruksel dhe në Berlin mbështetja për të po bie. Ai beson, se Merkelin e Junckerin e ka në anën e tij, por më duket se CDU/CSU nuk janë në anën e tij, ata duan ta shtyjnë vendimin e BE-së për hapjen e negociatave. Realisht duket, se po bëhet e vështirë për qeverinë Rama në Bruksel. Tani do të shikohet me shumë vëmendje, se çfarë ka të vërtetë në akuzat për bashkëpunim me kartelet, me mafian e drogës. Duket se po mbyllet ajo dritare që shkonte në favor deri tani për qeverinë e Ramës”, tha gazetari.
Jo vetëm kaq, por ai përmendi në mënyrë të tërthortë edhe një mundësi tjetër kur foli për mungesën e drejtësisë në vend.
“Pra ose të thuhet qartësisht, bazuar në ligj, se nuk ka prova të qarta për bashkëpunimin e Partisë Socialiste me mafien e drogës, ose që ajo të tregojë qartë, se ka një bashkëpunim të tillë e të ngrejë akuzë kundër kryeministrit. Por siç e thashë drejtësia duket e paralizuar dhe jo e aftë të veprojë”.
***
Palët politike në Shqipëri nuk duket se kanë hequr dorë nga retorika e zjarrtë. Kryeministri Edi Rama e cilësoi sërish një akt të papërgjegjshëm dhe të patolerueshëm vendimin e presidentit Ilir Meta për anulimin e 30 qershorit si datë të zgjedhjeve vendore. Duke folur në parlament gjatë seancës dedikuar kësaj çështjeje, ai ritheksoi se zgjedhjet do të mbahen në datën e caktuar.
Nga ana e tij kryetari demokrat Lulzim Basha tha të enjten se me përpjekjet e tij kryeministri po konsumon një grusht shteti dhe se 30 qershori nuk ekziston më si datë nga pikëpamja kushtetuese.
Ndërkohë, presidenti Ilir Meta reagoi pasdite ndaj seancës së zhvilluar në parlament lidhur me dekretin e tij për anulimin e datës së zgjedhjeve. Këshilltari i tij juridik Bledar Dervishaj tha se retorika e përdorur kundër kreut të shtetit nuk i shërben zgjidhjes së krizës dhe paqes sociale në vend. Zoti Dervishaj përsëriti më tej se kreu i shtetit i siguron qytetarët se ata do të votojnë në një datë tjetër, përtej 30 Qershorit, dhe se për këtë ai ka nisur procesin e konsultimeve me partitë politike.
***
Por a ka një mundësi për të dalë nga kjo situatë kaq e vështirë? Ndërkombëtarët akoma nuk kanë reaguar me shumë vendosmëri. Shqiptarët i kthejnë sytë vazhdimisht nga Amerika në raste të tilla, por duket se prej andej nuk po vjen asnjë sinjal.
Në këto kushte, duket se situatën po e merr në dorë Berlini. Partia më e madhe në vend ka kushtëzuar nisjen e negociatave me zgjidhjen e krizës politike.
Në fakt gjermanët janë të njohur me situata të tilla dhe ia kanë dalë më sukses t’i zgjidhin ato. Madje mjafton të hedhim sytë te Maqedonia Veriore, vendi që po penalizohet për shkak të keqqeverisjes në Shqipëri. Edhe ata kanë përjetuar një krizë të rëndë politike para disa vitesh dhe situata u zgjidh me ndërhyrjen e Bashkimit Europian (rolin më të rëndësishëm e pati politikani gjerman Frank Walter-Steinmeier, aktualisht president i Gjermanisë).
Mundësinë që kriza të zgjidhet si në rastin e Maqedonisë e ka përmendur edhe analisti Afrim Krasniqi.
Marrëveshja e Përzhinos u konkretizua nga 2 qershori deri në 15 korrik 2015 mes partive kryesore në Maqedoni me ndërhyrjen e BE. Marrëveshja parashikonte: pjesëmarrjen e partisë së opozitës, SDMS në ministri; dorëheqjen e parakohshme të kryeministrit Nikolla Gruevski në janar të vitit 2016 dhe krijimin e një qeverie kujdestare për të dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme në qershor të vitit 2016. Po ashtu, një prokuror i posaçëm do hetonte krimet që dolën nga skandali i përgjimeve.
Nikolla Gruevski u largua nga pushteti dhe tani është një politikan në arrati, për ironi i larguar nëpërmjet Shqipërisë.
***
Kriza vazhdimisht nxjerr anën më të keqe të manipulimeve demokratike në një vend. Kështu po ndodh edhe në Shqipëri, kur parlamenti, prokuroria, KQZ-ja duket sikur po funksionojnë sipas kërkesave të ekzekutivit. Në këto kushte askush nuk mund të parashikojë me saktësi se si do të vazhdojë kriza në vend. Fakt është se pa ndërhyrjen e të huajve, mundësitë për një zgjidhje duken shumë, shumë të largëta./ Mapo