Skandali i zbuluar disa javë më parë në spitalin “Shefqet Ndroqi” që tashmë po funksionon si spitali COVID-2, ka nisur të zbehet.
Gjykata e Apelit, seancën e zhvilluar ditën e djeshme ndaj katër të arrestuarave si bashkëpunëtore me Tire Alldervishi në një skemë zhvatjeje ndaj pacientëve, ka ndryshuar masën e sigurisë për dy prej tyre. Të katër të arrestuarat kishin apeluar vendimin e Gjykatës së Tiranës për t’u liruar, por Gjykata vendosi të pranonte vetëm kërkesën e infermieres Sidorela Çela dhe sanitares Rukie Hoxhaj.
Gjykata argumentoi se ato duhet të lirohen nga qelia, duke zbutur kështu masën e sigurimit nga “Arrest në burg” në “Detyrim paraqitje”, për shkak të mungesës së provave bindëse që organi i akuzës ka përdorur në gjyq. Ndërkohë që për dy infermieret e tjera, Mira Bushi dhe Shyqyrie Koçi, Gjykata nuk ka pranuar ankimin dhe i ka lënë në qeli, për shkak të problemeve procedurale, pasi është konstatuar që ankimimi i tyre nuk është firmosur nga vetë të dyshuarat. Tri infermieret dhe sanitarja u arrestuan në javën e parë të muajit shkurt. Për infermieret akuza e ngritur është “Shpërdorim detyre” dhe “Mashtrim”. Sipas Prokurorisë, të katërta, bashkë me Tire Alldervishin, kishin krijuar një skemë për zhvatjen e pacientëve të spitalit “Shefqet Ndroqi”, të shtruar atje si pasojë e infektimit me koronavirus.
Ato merrnin përfitime të paligjshme nga familjarët në këmbim të shërbimeve spitalore. Ndërkohë, vendimi i dhënë ditën e djeshme nga Apeli, krijon edhe një përplasje mes dy institucioneve të drejtësisë, GjykatëProkurori.
Në seancën e zhvilluar në fillim të këtij muaji në Shkallën e Parë, gjyqtarja Rexhina Merlika i la disa detyra prokurorit të çështjes, që të plotësonte këtë dosje hetimore dhe të çonte në gjyq prova bindëse që i implikonin të akuzuarat në skemën e zhvatjes së pacientëve të prekur nga COVID-19. Por këto detyra, siç duket, nuk janë marrë seriozisht nga Prokuroria. Kjo ka bërë që Apeli të zbusë masën e sigurisë ndaj dy të arrestuarave dhe se në vijim pritet edhe lirimi i dy infermiereve të tjera. Kjo pasi, ato qëndruan në burg me vendimin e djeshëm, vetëm si pasojë e një gabimi procedural dhe jo si pasojë e provave të dërguara nga gjyq nga ana e organit të akuzës.
GJYQI NË SHKALLË TË PARË
Gjyqtarja Rexhina Merlika, në seancën e zhvilluar rreth dy javë më parë, ka kërkuar që për të zbardhur të vërtetën mbi akuzat e ngritura ndaj katër të arrestuarave, duhet të kryhen veprime hetimore urgjente.
Sipas saj, duhet të bëhet një ekspertim telefonik i katër të ndaluarave për të gjetur bisedat me Tire Alldervishin. Po ashtu, gjyqtarja ka thënë se Prokuroria duhet të sjellë seancën e radhës prova konkrete mbi të ndaluarat, të cilat akuzohen se mashtruan pacienten me COVID-19 dhe pasojën e ardhur ndaj saj.
Më tej, gjyqtarja ka kërkuar se duhet hetim nëse kanë bërë të tilla abuzime edhe me pacientë të tjerë dhe duhet ndarë nëse kemi “Shpërdorim detyre” apo “Korrupsion”. “Kjo seancë është publike, pasi qytetarët duhet të dinë se çfarë është. Këto janë punonjëse që nuk kanë shkuar dje në spital. Punojnë aty prej vitesh. Duhet faktuar çfarë shkelje reale është bërë. Çfarë pasojash kanë sjellë. Nëse kanë marrë lekë për shërbimin, do të përballen me ligjin. Duhet hetuar personeli tjetër, mjekë dhe kryeinfermierë.
Si u la Tirja e këto zonja të sjellin këtë gjendje kaq të rëndë. Çfarë ndodhi rast për rast. Me kaq material nuk e ndajmë dot, nëse kemi korrupsion apo shpërblim, se japin dhe dhurata me pëlqim”, është shprehur gjyqtarja Rexhina Merlika.