Një operacion antidrogë i koduar “Pesjaku” ka zbuluar 281 kilogramë lëndë narkotike, duke vënë në pranga një person. Operacioni u kurorëzua gjatë ditës së djeshme nga policia e Gjirokastrës në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”.
Mbi bazën e informacioneve të mara në rrugë policore se në vendin e quajtur “Kunupicë-Pesjakë”, Gjirokastër, në stanin e shtetasit Hysen Brahimi kishte lëndë narkotike, shërbimet e policisë kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në këtë ambient. Si rezultat i kontrollit uniformat blu, kanë gjetur të fshehura në stan 28 thasë plastikë me ngjyrë të zezë brenda të cilëve kishte lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, një armë zjarri model 56, si dhe një krehër me 25 fishekë. Pesha totale e lëndës ishte 281 kilogramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Hysen Brahimi, 60 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër, u arrestua në kushtet e flagrancës. Lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”