Edhe pse fushata për zgjedhjet e 30 qershorit s’ka nisur ende zyrtarisht, kandidatët kanë filluar me takime të ndryshme apo evente qoftë dhe për të qenë vizibël në ekran, portale e rrjetet sociale. Flamur Golemi në Gjirokastër vizitoi sot një qendër ku strehohen fëmijët jetimë.
“Nuk është asnjëherë vonë për të bërë diçka për fëmijët, aq më tepër kur është fjala për ata fëmijë të cilëve jeta nuk u ka buzëqeshur sa duhet. Sot me rastin e Ditës Kombëtare të Jetimëve isha në qendrën ‘Vatra e Ngrohtë’ në Gjirokastër ku strehohen disa fëmijë. Stafi i saj po bën një punë shumë të mirë, por ka ende nevojë për më tepër mbështetje nga pushteti lokal në mënyrë që fëmijëve të mos u mungojë asgjë”, thotë Golemi.
Ajo që bie në sy në fotot e publikuar prej tij është fakti se e shoqërojnë vetëm gra. Nuk dihet nëse ky është një format i zgjedhur qëllimisht prej Golemit apo ishte rastësi vetëm për takimin e sotëm. Mbetet ta shohim në takimet e ardhshme. Bashkë me të ishte edhe Lindita Rova, drejtoresha e Arsimit në Gjirokastër, e cila garon në 30 qershor e dyta në listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak.
©argjiroja.net