Shkrimtarja Flutura Açka ka akuzuar kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, se i ka tradhtuar dhe ka lejuar me qëllim prishjen e Teatrit Kombëtar.
Me anë të një statusi në Facebook, Açka tha se ajo u shpreh dje se Kryemadhi u tha qytetarëve që të mos shkonin për të mbrojtur Teatrin.
“Më falni, si tha mbrëmë: Mos u afroni, nuk ka nevojë për 1000 vetë, as për 100 vetë. Ishte vërtet thirrja e duhur për këtë natë të bardhë vizitash dhe ditë të zezë pabesie.Qetësia me të cilën e tha, nuk u ngjante atyre të mitingjeve, ishte zbutëse, qetësuese, shëruese…”, shkruan shkrimtarja Açka, një prej kundërshtuesve të prishjes së Teatrit Kombëtar.
Gjatë orëve të para të ditës së sotme është shembur godina e Teatrit Kombëtar. Aksioni për shembjen e kësaj godine ka nisur 04:30 të mëngjesit të sotëm, ku pati përplasje. Mësohet se në Polici janë shoqëruar Gazment Bardhi, Edi Paloka, aktori Neritan Liçaj, Monika Kryemadhi, Robert Budina, Titi Seranaj, Silva Caka dhe dhjetëra qytetarë. Por përplasjet vijojnë, pak më parë dhjetëra qytetarë çanë kordonin e policisë, në sheshin pranë teatrit. Basha ka paralajmëruar aksion opozitar, ndërsa Kryemadhi iu bëri thirrje shqiptarëve që braktisin gjendjen e fatkeqësisë natyrore.