Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka pezulluar nga detyra Shefin e Stacionit të Policisë Dropull dhe tre punonjës policie, pasi dyshohen se lejuan kultivimin e kanabisit. Sipas policisë bëhet fjalë për një hetim të nisur në 23 korrik të këtij viti, ku në fshatin Hllomo, Njësia Administrative Pogon u asgjësuan disa bimë narkotike, të llojit kanabis, ku është shpallur në kërkim edhe një person nga Lazarati me inicialet A.G.
Sipas policisë ky procedim është ndjekur me metoda pro-aktive dhe gjatë hetimeve janë grumbulluar fakte dhe prova, të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se këta punonjës policie, me veprimet dhe mosveprimet në mos-përmbushje të detyrës funksionale dhe me qëllim përfitimin e paligjshëm kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Gjithashtu ata dyshohet se ata janë të përfshirë edhe për depërtimin e klandestinëve nga vendet e lindjes, nga Greqia drejt vendit tonë që e përdorin si trampolinë drejt BE-së.
Të pezulluarit nga detyra;
– N/Komisar U. Sh me detyrë, ish-Shefi i Stacionit të Policisë Dropull;
– N/Komisar E.R., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Dropull;
– Inspektor H.L., me detyrë SPZ në Stacionin e Policisë Dropull;
– Inspektor S.B., me detyrë ish-oficer i Patrullës së Përgjithshme në Stacionin e Policisë Dropull.