Ish drejtoresha e ARRSH-së dhe ish-ministrja e Shtetit, Sonila Qato është paraqitur ditën e sotme në SPAK. E shoqëruar nga avokati i saj, Qaton është paraqitur para strukturës Anti-Korrupsion pas padisë së bërë nga një firmë private, pas një raporti të KLSH për shkelje të barazisë në tendera në aksin Kardhiq-Delvinë.
Kompania ” Gjoka Construction”, paditi drejtoreshën e ARRSH-së, Sonila Qato për prishje me qëllim të imazhit. Në një reagim për mediat, përfaqësues të kësaj kompanie kanë mohuar që të kenë paraqitur të dhëna false për të fituar tenderin për ndërtimin e tunelit të rrugës Kardhiq-Delvinë, që është ‘loti 7’ dhe që u anulua. Sipas tyre imazhi është prishur pasi nisën hetimet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, hetim i cili sipas firmës kishte si qëllim favorizimin e kompanisë e “Ircop” S.p.a Degë e shoqërisë së huaj, për të cilat nuk i kursyen akuzat.
Në një prononcim të shkurtër para gazetarëve, Qato tha sot se ajo është thirrur për të dëshmuar si person se ka dijeni, ndërsa risolli në vëmendje se edhe dorëheqjen si drejtoreshë e ARRSH e dha në mënyrë që t’i jepet mundësi SPAK që të kryejë hetimet dhe të japë drejtësi.
Kujtojmë se në SPAK ka një padi ndaj Sonila Qatos nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Padia është me akuzën se është skualifikuar padrejtësisht në tenderin për rrugën Kardhiq-Delvinë një kompani duke i kushtuar shtetit miliona lekë dëm. Auditimi në ARRSH nga KLSH-ja është bërë për periudhën e veprimtarisë nga data 01.01.2017 deri në datën 31.07.2019, por për çfarë e ka paditur institucioni i kontrollit financiar Qaton? KLSH-ja thotë se “çështja që kemi kërkuar një hetim të thelluar nga ana e organit të Prokurorisë ka të bëjë me ligjshmërinë e zbatimit të procedurës së prokurimit me objekt: “Ndërtim rruga Kardhiq – Delvine, Loti 7, me fondin limit 2,332,573,946 lekë, të zhvilluar në korrik 2019”.