Një konflikt ka ndodhur sot në mesditë në Vlorë. Në një njoftim për mediat Policia e Vlorës njofton se një qytetar ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, pasi pretendonte se posedonte një hapësirë plazhi në këtë zonë. Policia pasi ka marrë njoftim për ngjarjen ka nisur kërkimet për autorin, por ai është larguar dhe po punohet për kapjen e tij.
“Rreth orës 12:10, në plazhin e Radhimës, punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, gjatë ushtrimit të detyrës për kontrollin e plazheve janë kundërshtuar nga një shtetas, i cili pretendonte se posedonte një hapësirë plazhi në këtë zonë.
Si pasojë e konfliktit, shtetasi E. A, dyshohet se ka kanosur punonjësit për shkak të detyrës dhe më pas ky shtetas është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekie të këtij shtetasi dhe po punohet për kapjen e tij. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton Policia.