Vangjel Tavo kërkon sërish votën e banorëve të qarkut Gjirokastër për t’u rizgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë në zgjedhjet e 25 prillit. Në atë Kuvend ku ka qenë për më shumë se 20 vite me vota të banorëve të këtij qarku. Por kur t’i drejtoheni kutisë së votimit më 25 prill mbani parasysh edhe një fakt shumë të rëndë, për të cilin Tavo nuk gjeti kurajo kurrë ta dënonte.
Në ceremoninë e varrimit të ekstremistit Kostandin Kacifas në fshatin Bularat, Tavo ishte aty bashkë me Vangjel Dulen teksa një tufë idiotësh të “Agimit të Artë” dhe të të ashtuquajturit “Vorio Epir”, thërrisnin koret raciste kundër shqiptarëve. “Sëpatë dhe zjarr për qentë shqiptarë”, ishte një prej refreneve të tyre duke e shndërruar funeralin e Kacifas në një manifestim racist kundër shqiptarëve. Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Vangjel Tavo, ishte aty bashkë me shumë të tjerë. Sigurisht që nuk pritej prej tij t’u mbyllte gojën ekstremistëve ta ardhur nga fqinjët tanë, as t’i merrte me dru aty në mes të fshatit. Por heshtja e tij pas atij funerali ishte e turpshme.
Më shumë se dy vjet nga kjo ngjarje, Vangjel Tavo, nuk pati kurajo t’i bënte dy radhë në Facebook, sa për t’i dënuar ato thirrje qoftë dhe formalisht. Heshtja e tij për këtë rast është flagrante dhe po aq e rëndë sa vetë fjalët e ekstremistëve. Nuk është fjala për Vangjel Tavon si person, por si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ai është zgjedhur deputet për më shumë se 20 vite jo vetëm me votat e minoritarëve në Dropull, që s’kanë asnjë lidhje me ekstremistin Kacifas dhe as me të ngjashmit e tij që erdhën nga përtej Kakavijës, por edhe me vota të të tjerëve që jetojnë në Libohovë, Gjirokastër, Tepelenë, Këlcyrë, Përmet e Memaliaj. Tani, si mund të kesh kurajo të kërkosh sërish votën e këtyre shqiptarëve që ekstremistët grekë i etiketonin si “qenë” dhe për të cilët kërkonin sëpatën dhe zjarrin? Ti qofsh!
©argjiroja.net