Kisha e Shën Kollit në Mesopotam është një tjetër monument kulture i rëndësishëm në jug të vendit që po i nënshtrohet restaurimit. Për të inspektuar punimet ishte në kantier ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e shoqëruar nga profesor Aleksandër Meksi dhe Pirro Thomo.
“Kisha e Shën Kollit në Mesopotam, është një nga kantieret më të rëndësishme, por edhe më delikate të restaurimit në këtë vit. Gjurmët e kohës dhe ndërhyrjet e mëparshme kishin vënë seriozisht në rrezik një ndër thesaret e trashëgimisë tonë kulturore. Mirënjohje pa fund për Profesor Aleksander Meksi dhe Pirro Thomos, për përkushtimin dhe mendjen e çmuar që i dhanë këtij projekti duke na ndihmuar për ta shpëtuar këtë pasuri kulturore që sot është në restaurim”, thotë Kumbaro.
Kisha e Shën Kollit ka ekzistuar në fillim si një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ngritur Kisha. Kjo Kishë mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku. Kisha e Shën Nikollit ka një arkitekturë tepër të veçantë të stilit bizantin. Nga manastir ruhen rrënojat e mureve rrethues që kapin një sipërfaqe rreth 100 m² dhe kontrollohen nga 9 kulla drejtkëndëshe. Muret rrethues janë më të hershëm sesa kisha. Dhomat e manastirit janë të ndërtuara më vonë. Kjo është një ndër kishat më të mëdha dhe më të vjetra të periudhës bizantine që ruan vlera origjinale.