Ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” ka treguar arsyet e dorëheqjes. Lleshaj u shpreh se dorëheqja është pranuar nga Kryeministri dhe ka qenë e parevokueshme.
“Sigurisht që dorëheqja është pranuar dhe është e parevokueshme. Dorëheqja është një akt moral i rëndësishëm. Sot arrita ta finalizoj se nuk doja ta bëja pa praninë e kryeministrit”, tha Lleshaj. Më tej ai shtoi se largimi nga detyra është akti i tij sovran dhe nuk është ndikuar nga kryeministri i Shqipërisë.
“Ju mund t’i jepni shkak fantazinë tuaj, por dorëheqja jepet vetë, është akt individual dhe sovran i imi”, tha Lleshaj.
Më tej ish-ministri i Brendshëm tha se vendimin për dorëheqjen kishte disa ditë që po e mendonte, por sot e vendosi plotësisht.
“Dorëheqja ka disa dimensione, pasi kemi një djalë të vrarë në mënyrë të pajustifikueshme. Unë dua të distancohem nga një praktikë e shëmtuar e drejtimit të gishtit, nga ata që nuk kanë të drejtë të ngrenë as gishtin dhe as dorën.
U bënë disa ditë që kanë ngritur gishtin dhe dorën kundër policisë, por u mungon e drejta morale, pasi u kanë lënë shtetit shumë ngjarje të rënda.
Unë e kam dhënë dorëheqjen për t’u thënë që unë nuk jam si ju. Unë nuk asnjë lidhje me ngjarjen, por unë u them atyre që të vazhdojnë rrugën. Dorëheqja është në respektim të qytetarëve”, shtoi ministri.
Më fund ministri i dorëhequr pati dhe një mesazh për opozitën dhe sa se dorëheqja u dedikohej dhe atyre.
“Kemi patur artikulime zyrtare të opozitës që kanë thënë se përgjegjësinë për vrasjen e ka ministri i Brendshëm. Unë u them se ministri nuk ka asnjë përgjegjësi për ngjarjen, por u kërkoj që të shkëputen nga 21 Janari”, shtoi më tej Sandër Lleshaj