Komisariati i Tepelenës ka ndaluar edhe 29-vjeçarin A.G i cili në bashkëpunim me disa persona të tjerë, rrahën mësuesin Kleanthi Laçi, 59-vjeç. Mbi të riun rëndojnë dy akuza: “Vetëgjyqësi” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.
Ndalimi i tij ka ardhur pas ndalimit edhe të mësuesit të dhunuar për akuzat “Ngacmim seksual” dhe “kallëzim i rremë”.
Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet: Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë, në përfundim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për ngjarjen e ndodhur në datën 16.01.2023, në vendin e quajtur “Zona industriale”, Tepelenë, ku disa shtetas kanë goditur me mjete të forta shtetasin K. L., 59 vjeç, banues në Tepelenë (mësues), kanë ndaluar njërin prej autorëve të dyshuar, shtetasin A. G., 29 vjeç, banues në Tepelenë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Vetëgjyqësia”.
Vijon puna intensive për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të bashkëpunëtorëve të tij.