PD nuk është dakord me vendimin e Presidentit për dekretimin e ndryshimeve në Kodin Penal, që ndëshkojnë ata që përhapin koronavirusin apo shkelin masat kufizuese për karantinimin. Ndonëse s’ka një deklaratë zyrtare kundër kreut të shtetit, njerëz pranë PD-së kanë disa ditë që akuzojnë Presidentin për ‘paqen’ me Edi Ramën. Një prej tyre është dhe Roland Bejko, koordinator për pushtetin vendor në PD. Bejko ka disa reagime për këtë cështje. I fundit ishte ditën e sotme pasi kreu i shtetit u shfaq në një studio periferike të një media shqiptare në diasporë. “Gjethja e fikut, nuk e mbulon dot tërë lakuriqësinë!, e mbyll reagimin e tij ish-kreu i PD në Gjirokastër.
Mezi pres ta kem gabim, por nuk më rezulton gjëkundi !
Pyetja që na u bë nga moderatori i emisionit në një studio të një televizioni kombëtar një ditë pas manifestimit të 2 marsit, ishte se ku synonte të dilte Presidenti me atë tubim?
Dikush tha se kishte për qëllim ti merrte Bashës lidershipin e opozitës, dikush se i tregoi dhëmbët Ramës dhe ndërkombëtarëve se ish “kockë” e fortë, një tjetër tha se pas kësaj do bëjë një parti tjetër politike të tipit Kuq e Zi për të tërhequr rreth vetes popullin e zhgënjyer, etj, etj.
Ndërsa unë qëndrova pak a shumë në linjën që “të marrësh lidershipin e opozitës është pak e vështirë pasi militantët e PD janë fanatikë, por duke qenë se bëhet fjalë për Ilir Metën si “kafshë politike”, le të presim dy tre muaj dhe do jemi më të qartë në dhënien e një përgjigjeje racionale”.
Nuk e di nëse kam pas të drejtë apo jo?
Uroj të mos jetë e vërtetë ajo që mendoj tani, se përndryshe, shpresa se ky vend do të mundë të bëhet një ditë me demokraci funksionale dhe shtet të së drejtës, do thyhet në mes.
Mezi pres ta kem gabim!
Por kur shikoj Presidentin të dalë për ditë për të dhënë sqarime në çdo studio qëndrore a periferike qoftë, bindem dhe më shumë që është në hall me opinionin publik.
Dikur, aty nga fundvitet ’80 të shekullit të kaluar, Jacques Delors (Zhak Delors), kur po fliste për politikat e kohezionit social dhe fondet strukturore në BE, tha se problemi nuk zgjidhet duke i hedhur sa më shumë para, por zgjidhet duke hartuar politika të sipërmarrjes dhe të zhvillimit ekonomik. Kështu dhe kjo puna e komunikimit publik.
Beteja me mosbesimin e publikut ndaj teje, nuk zgjidhet duke shtuar në çdo studio argumenta të rinj, por pas këtij çedimi të rëndë më mirë heshtja është flori!
Gjethja e fikut, nuk e mbulon dot tërë lakuriqësinë !