Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Restaurimit pas shqyrtimit të bërë ka miratuar projektin e rindërtimit të Kishës së Shën Thanasit brenda Qendrës Historike të Dhërmiut.
Lajmin e bën të ditur vet ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila shkruan se ky jo vetëm që është një premtim i mbajtur, por kisha madje do të rindërtohet ashtu siç ka qenë dhe ashtu siç e meritojnë banorët e Dhërmiut.
“Ashtu siç ka qenë kur ishte vërtetë një kishë, siç e meriton Shën Thanasi, sic e meritojnë banorët e Dhërmiut, siç profesoret Aleksander Meksi e Pirro Thomo e patën studjuar e rilevuar herët. Eshte siç e premtuam se do ta rindërtonim. Faleminderit Bashkisë së Himarës dhe Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë për bashkëpunimin”,- shkruan Ministrja Mirela Kumbaro në Facebook, ku ka ndarë edhe këto foto të veçanta.
Kumbaro thekson në statusin e saj se “Punët e mira flasin vetë dhe mbeten, zhurma dhe balta trazojnë kazanet po punës s’ia zënë dot vendin”, si një përgjigje për gjithë kritikat që bëhen sidomos për objektet e trashëgimisë.