Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi mbrëmjen e sotme se qytetarët duhet të qëndrojnë brenda shtëpisë nga ora 21:00 deri në 06:00 në Paris dhe 8 qytete të tjerë si masë për të kontrolluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit në vend.
Sipas tij policia do të marrë kontrollin e situatës prej të shtunës dhe kjo masë do të zgjasë për të paktën 4 javë. Në Francë është shpallur gjendja e jashtëzakonshme pasi të mërkurën u identifikuan 22 951 të infektuar të rinj.
Presidenti Macron tha se kjo valë e koronavirusit ishte ndryshe nga shpërthimi në pranverë sepse virusi ishte përhapur në të gjitha pjesët e Francës.
Bllokimi gjatë natës do të zbatohet në kryeqytetin Paris dhe rrethinat e tij si dhe në Marsejë, Lion, Lille, Saint-Etienne, Rouen, Toulouse, Grenoble dhe Montpellier. Si fillim bllokimi do të jetë për 4 javë, por qeveria e Macron mund ta çojë në 6 javë. Masat ndalojnë njerëzit të vizitojnë restorante dhe shtëpi private gjatë natës.
“Banorët duhet të kenë një arsye të vlefshme për të qenë jashtë shtëpive të tyre gjatë orëve të shtetrrethimit”, – tha presidenti që shtoi se do të lejohen lëvizjet për çështje thelbësore. Shkollat do të qëndrojnë të hapura dhe njerëzit do të jenë ende në gjendje të udhëtojnë midis rajoneve gjatë ditës.
“Ne duhet të veprojmë. Ne duhet të vendosim një frenim në përhapjen e virusit,” tha Z. Macron, duke shtuar se ai e kuptonte që një shtetrrethim ishte një gjë “e vështirë” për t’ua kërkuar njerëzve.
Kushdo që do të shkelë shtetrrethimin do të gjobitet me 135€. Jo më shumë se 6 persona do të lejohen të mblidhen brenda shtëpive private, por do të bëhen përjashtime për familjet e mëdha. Ai premtoi se do të ketë ndihmë për biznesin që do të vuajë masat e shtetrrethimit.
Numri i njerëzve të shtruar në spitale në Francë me Covid-19 u rrit mbi 9100 për herë të parë që nga fundi i qershorit. Të mërkurën, Franca u bë i vendi i 9-të në botë që tejkalon 33 mijë vdekje nga virusi.
Në të gjithë Evropën, qeveritë po ndërmarrin kufizime të reja për të luftuar një valë të dytë të infeksioneve. Një bllokim i pjesshëm hyri në fuqi edhe në Holandë ku pas orës 22:00 kafenetë dhe restorantet do të mbyllen.
Më herët edhe rajoni veri-lindor i Spanjës në Katalonjë njoftoi se baret dhe restorantet do të mbyllen për 15 ditë duke filluar nga e enjtja.
Republika Çeke ka mbyllur shkollat dhe baret. Ky vend ka shkallën më të lartë të infeksionit në Evropë gjatë dy javëve të fundit me 581.3 raste për 100 mijë njerëz
Në të gjithë Evropën, normat e infeksionit po rriten, madje edhe në Rusi që raportoi një rekord me 14 321 raste ditore të mërkurën si dhe 239 vdekje.