Nga Nikoleta Kovaçi
Ndërsa policia ka sjellë në pranga persona që rezultojnë të kërkuar ndërkombëtar për trafikun e drogës, dalin në pah detaje të reja në lidhje me njërin nga të ndaluarit, i cili konsiderohet edhe si një prej emrave të njohur të trafikut të drogës në jug të vendit. Renato Çaushi, i cili është lënë në masën arrest me burg ditën e djeshme nën masa të rrepta sigurie është jo vetëm një person që ka qenë i ndjekur nga policia jonë dhe ajo italiane, por madje edhe një prej miqve të afërt të të ekzekutuarit në zonën e Bllokut, dy vite më parë, Elton Çiçës (Çiços). Historia e miqësisë së tyre mësohet se ka dalë gjatë hetimit që prokuroria ka bërë për biznesmenin dhe Çaushi dhe aktivitetit të tij kriminal kryesisht në zonë e Tepelenës dhe të Vlorës. Të dhënat flasin për një sundim të grupit të tyre në zonën e jugut, grup që sipas hetimeve të paradokohshme u mësua se kishin ndërhyrë deri edhe te lëvizjet e krerëve të policisë në të gjithë qarkun!
Hetimet
Lihet në burg biznesmeni Renato Çaushi, i cili akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe është mik me Elton Çiçën, të vrarë në 1 maj të 2015-së. Dy ditë më parë policia ka arrestuar Renato Çaushin, që njihet edhe me emrin Andrea Çaushi. Ka qenë një hetim 2-vjeçar i Prokurorisë italiane me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Shqipëri, i cili ka zbuluar se Çaushi drejtonte një rrjet ndërkombëtar për trafikun e narkotikëve. Çaushi është arrestuar në momentin që po lëvizte me një makinë të blinduar në Tiranë. Kanë qenë oficerë të RENEA-s dhe FNSH që kanë vënë në pranga biznesmenin. Gjithashtu burime nga prokuroria thonë se Renato Çaushi dyshohet si personi që drejtonte rrjetin e kanabisit në jug të vendit, sidomos në zonën e Tepelenës. Çaushi ishte mik i ngushtë me Elton Çiçën dhe dyshohet se lidhjet e tyre të ngushta kanë qenë edhe për kanabisin. Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria italiane kanë dalë në përfundimit se një sasi droge e kapur në vitin 2016 ishte e Renato Çaushit. Në atë kohë 600 kg drogë u tentuan të trafikohej drejt Italisë, por skafi u zbulua dhe droga u hodh në det. Për këtë rast dy prokuroritë kanë bërë përgjime dhe kanë zbuluar se ishte pikërisht Renato Çaushi që drejtonte këtë rrjet. Gjithashtu dy ditë më parë, me urdhër të prokurorisë, Policia ka arrestuar edhe miqtë e Renato Çaushit. Ata janë: Andrea Mita, Kasem Piluri dhe Alti Rramolli. Ndërkohë për këtë sasi droge janë arrestuar në vitin 2016 edhe 7 persona të tjerë, të cilët gjithashtu ishin pjesë e rrjetit që drejtohej nga Renato Çaushi. Gjykata e Krimeve të rënda e ka lënë në burg Çaushin, i cili ka disa biznese në Tiranë, por edhe në qytete të tjerë.
Çaushi e Çiça dhe trafiku i drogës nga Tepelena
Ishte fillimi i shkurtit të këtij viti kur një hetim i Prokurorisë për Krime të Rënda, bëri me dije publikisht se ishin lëshuar urdhër-arresti për disa persona, përfshirë edhe punonjës policie, si pjesë e një grupit të strukturuar kriminal, të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Prokuroria për Krime të Rënda u tha se kishte zhvilluar hetimin për këta persona, të cilëve, pak muaj më parë iu sekuestrua një sasi shumë e madhe lënde narkotike kanabis sativa, e papërcaktuar ende, e mbjellë në fshatra të ndryshme të Vlorës, kryesisht në Vezhdanisht dhe Treblovë. Gjithashtu, këtij grupi i janë sekuestruar edhe rreth 2 ton kanabis në Tepelenë.
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda janë evidentuar si persona përgjegjës dhe pjesëmarrës në këtë grup kriminal, shtetasi, Haki Hasanbegaj, me detyrë Shef i Rendit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, Vlorë, dhe Gani Abazi, me detyrë Shef i Specialistëve të Zonave në Komisariatin e Policisë, Tepelenë. Prokuroria vijonte: “Nga hetimi rezulton se Hasanbegaj ka qenë lidhje e ngushtë e shtetasit Elton Çiça, i cili u vra pak javë pas largimit të Hasanbegajt nga Tepelena, në një atentat në zonën e ish-“Bllokut” në Tiranë. Çiça dyshohej se ishte pjesë e një rrjeti të gjerë kultivimi dhe trafikimi të lëndëve narkotike në zonën e Tepelenës. Çiça rezulton se ka pasur informacion për lëvizjet e drejtuesve në Komisariatin e Policisë Tepelenë. Ai i shpreh mbështetjen e tij Haki Hasanbegajt në momentin që ky po largohej për një Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Po ashtu, Çiça rezulton se ka qenë i informuar se cili do të zëvendësonte Hasanbegajn në drejtimin e komisariatit të Tepelenës, me qëllimin e qartë që të vijonte i pashqetësuar aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të lëndëve narkotike” thoshte prokuroria ndërsa do të ndalonte edhe zyrtarët e policisë!
“Viluni”, historia që nisi 4 vite më parë!
Në fakt këtë emër do të mbante një prej ngjarjeve më të bujshme që më pas u kthye edhe në një ngjarje politike, ndërsa thuhej se një prej trafikantëve të drogës, të drogës së Vilunit, të hetuar dhe të zbuluar nga prokuroria, pasi policia nuk e ka zbuluar dot aso kohe, udhëtonte me makinën e një deputeti. Gjithçka kishte nisur nga një informacion i dhënë në rrugë operacionale në zonën e Kamzës ndërkohë që asnjë gjurmë autorësh nuk ishte në dosjet e prokurorisë edhe pse drogë jo pak herë u nis nga ato brigje, ashtu siç në të gjitha brigjet e mundshme të vendit tonë. Pas eliminimit fizik të Elton Çiçës, djalit nga Tepelena, historia e të cilit lidhej me një hasmëri dhe hakmarrje të frikshme mes grupeve rivale të Tepelenës u mësua se ai dhe grupi i tij kishin lidhje të forta në Policinë e Shtetit. Edhe pse kjo e fundit refuzoi diçka të tillë, edhe publikisht, prokuroria nuk ngurroi që të hidhte dritë mbi marrëdhëniet e viktimës së hakmarrjes me krerë të Policisë. Historia e Çaushit dhe e të gjithë grupit të tyre tashmë është referuar në një dosje të madhe, ku pretendohet se prokuroria ka mundur të ketë edhe përgjime, ndërsa janë nën hetim prej plot 3 vitesh dhe në aktivitet, nuk dihet që kur!/Gazeta Shekulli