Instituti për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME), autoriteti më prestigjoz në botë që mat barrën e sëmundjeve në çdo vend, lëshon alarmin se sëmundjet vdekjeprurëse në Shqipëri janë rritur me ritme të shpejta. Instituti vëren se numri i vdekjeve në Shqipëri si pasojë e sëmundjeve më të rrezikshme është rritur në interval dyshifror.
Raporti
IHME ka analizuar se si ka ndryshuar numri i vdekjeve për 10 sëmundjet me vdekshmërinë më të lartë përgjatë periudhës 2005-2015.
Sipas Institutit që financohet nga miliarderi Bill Gates, vrasësi kryesor i shqiptarëve janë sëmundjet e zemrës. Por treguesi me tronditës është se krahasuar me vitin 2005 vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare janë rritur me 44%.
Në vendin e dytë për numrin më të madh të vdekjeve renditen sëmundjet cerebrovaskulare, që ndryshe njihet si goditjet në tru. Vdekjet si pasojë e kësaj sëmundje janë rritur me 37.7% krahasuar me 10 vjet më parë.
Trendi është i frikshëm për të gjitha sëmundjet, përveç njërës, që janë infeksionet respiratore. Vetëm për këtë sëmundje Shqipëria ka rënie të vdekshmërisë krahasuar me 10 vjet më parë, ndërkohë që për 9 sëmundjet e tjera numri i vdekjeve është rritur nga 17 për qind deri në 65 për qind, në vetëm një dekadë.
Alarmi i vdekjeve të parakohshme
Sipas Institutit për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit, Shqipëria po përballet jo vetëm me rritjen vdekshmërisë, por gjatë dekadës së fundit është rritur me ritme të frikshme edhe vdekshmëria e parakohëshme.
Më konkretisht, vdekjet e parakohëshme nga sëmundjet e zemrës janë rritur me 22 për qind krahasuar me vitin 2005. Ato që vijnë si rezultat i sëmundjeve cerebrovaskulare janë rritur me 16.5 për qind, ndërsa vdekjet si pasojë e tumorit në mushkëri janë rritur me 28 për qind.
I njëjti trend vihet re edhe për sëmundjet e veshkave, si dhe ato të stomakut.
Krahasimi me vendet e tjera
Shqipëria klasifikohet me pullë të kuqe në 8 nga 10 sëmundjet me vdekshmëri të lartë. Kjo tregon se numri i vdekjeve në vend si rezultat I këtyre sëmundjeve është më i lartë se sa ai i vendeve të tjera të ngjashme dhe dukshëm më I lartë se sa vendet e zhvilluara.
Sipas IHME, vdekshmëria si pasojë e sëmundjeve të zemrës në Shqipëri është 4 herë më e lartë se sa ajo në Francë, 3 herë më e madhe se në Itali dhe mbi dy herë më e lartë se në Gjermani.
Po kështu i njëjti trend vihet re edhe për sëmundjet cerebrovaskulare, defektet kongjenitale dhe sëmundjet e veshkave.