Partia Demokratike ka bërë publike një analizë për dështimin në zgjedhjet e 25 prillit. Sa i përket qarkut Gjirokastër në këtë raport thuhet ndër të tjera se performanca e drejtuesve politikë ishte e ulët.
“Kanë patur performancë më të ulët dhe jo brenda pritshmërisë së rezultateve historike të Partisë Demokratike, qarqet 1. Durrës, 2. Gjirokastër, 3. Shkodër, dhe 4. Tiranë. Nuk ka arritur projeksionin minimal në mandate dhe për pasojë cilësohet si i parealizuar projeksioni në mandate për qarqet Durrës, Gjirokastër, Shkodër dhe Tiranë”, thuhet në dokumentin e shpërndarë nga Partia Demokratike.
Një element tjetër ka të bëjë me votën e emigrantëve. Sipas PD qeveria a mbylli kufirin me Greqinë për të penguar ardhjen e emigrantëve.
“Vetëm pak ditë para zgjedhjeve qeveria vendosi të mbyllë kufirin me Greqinë dhe Maqedonia e Veriut nën pretekstin COVID-19, duke bërë kështu votën e emigrantëve shqiptarë të pamundur. Kjo u reflektua në pjesëmarrjen e ulët në votime në Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër”, thuhet në dokument.
Që PD do të merrte një rezultat të keq në Gjirokastër kjo dihej prej fillimit dhe u përforcua sidomos me rikonfirmimin e drejtuesit politik, Tritan Shehu. Vec kësaj nëse PD nuk hapet, nuk distancon personazhet e vjetër që më shumë kanë përfituar sesa kanë dhënë për të, gjasat janë që edhe në zgjedhjet e radhës të rezervojë një tjetër rezultat katastrofik. ©argjiroja.net