Kryeministri Edi Rama vizitoi Muzeun Etnografik të Gjirokastrës dhe Shtëpinë Muze të Ismail Kadaresë. Teksa pa nga afër objektet e vjetra të zbukurimit dhe tradicionale në Shtëpinë muze të Kadaresë, Rama porositi administratorin e Muzeut që të gjejë disa filxhanë çaji të vjetër dhe t’u servirë çaj vizitorëve, me qëllim që të ndihen sa më komod.
“Do gjesh disa filxhanë çaji të vjetër dhe të thjeshtë, e do t’i vendosësh nëpër dhoma. Do të mbash një ibrik për çaj dhe kur të vijnë vizitorët që ulen do të shikojnë filxhanët e çajit dhe pinë çaj.
Marrin çajin lexojnë libra dhe rrinë aty. Mos u kurse, jo ujë, çaj, jo ujë të ngrohtë, çaj”, tha Rama.
Kreu i qeverisë i shoqëruar edhe nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti nuk kurseu batutat për dokumentarin e ish-diktaktorit famëkeq të regjimit komunist, Enver Hoxha, që shfaqet brenda muzeut të shkrimtarit Kadare.
“Enveri në burg. Në burgun e shtëpisë së tij” u shpreh Rama me batutë.
Rama nuk kurseu as batutat as me administratorin e Shtëpisë Muze të Ismail Kadaresë, ndërsa i sugjeroi ta mbushë më me shumë libra të autorit të njohur shqiptar.
“Mbusheni me libra, kushdo t’i blejë. Vijeni në dispozicion të njerëzve.
Mos u kurse Gjiro, vër libra realë. Të bukur për t’u parë, por të kalojnë kohën”, tha Rama.