Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si të ‘vjetër’ raportin e publikuar nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, e cila vuri alarmin lidhur me largimin e intelektualëve nga Shqipëria. Artikulli mori vëmendjen e kreut të shtetit, ndaj edhe Rama iu kundërpërgjigj menjëherë duke e akuzuar se po e përdorte për të bërë politikë kundër qeverisë së tij.
Në reagimin e tij, ndër të tjera numri një i qeverisë shkruan se propaganda për largimin e shqiptarëve nga vendi ishte një degradim i ‘lojës politike’ nga ana e kundërshtarëve të tij.
Edi Rama shkruan: Propaganda me largimet e shqiptarëve është një shëmti e madhe, që tregon karakterin e natyrën e vërtetë të opozitarëve tanë! A thua se Iliri, Saliu apo Luli e Monika nuk ishin në pushtet me vite të tëra dhe po këta do t’i kthejnë shqiptarët nga rruga, me kallamin e tyre magjik! Por një raport me të dhënat e 5-6 viteve më parë, i përdorur për politikë kundër qeverisë sot nga Presidenti i Republikës, është fiks argumenti pse shqiptarët në 25 prill duhet ta shqelmojnë jashtë organizmit politik të Shqipërisë ndërmarrjen private të LSI-së! Çfarë degradimi!