Kryeministri Edi Rama u tregua kritik me biznesin fason, të cilët kanë shprehur kundërshti lidhur me vendimin për rritjen e pagës minimale në 40 mijë lekë.
Në takimin që zhvilloi të premten me sipërmarrësit Rama e cilësoi dramatike situatën e fasonëve dhe kjo sipas tij për faj të tyre.
“Nëse sot ka një problem dramatik gjithë industria e fasonëve është se nuk kanë menduar për këtë ditë. Dhe në këtë industri janë disa pionierë që kanë menduar, por janë pak. Ato gratë që i kanë marrë që në ’90 dhe u kanë marrë shpirtin të shtunë dhe të dielën, iu ka ardhur mosha e pensionit. Shpejt se na i kërkon Versaçe, shpejt se na i kërkon Armani. Me çfarë do t’i zëvendësojnë ato punonjëse sot, me vajzat e Tik Tok-ut? Do vijnë në Kamëz apo Paskuqan ku janë industritë dhe të marrin makinën qepëse për 40 mijë lekë?“ tha kryeministri Rama.