Partia Socialiste do të mbledhë Kongresin e saj në datën 23 mars në orën 10:00 në Pallatin e Kongreseve, por duket se do të mungojë pika për miratimin e listës së kandidatëve për kryetar bashkie siç edhe ishte përcaktuar më parë. Ky vendim mësohet se është marrë të hënën gjatë mbledhjes së Kryesisë së PS.
“Mësohet se kryesia do të miratojë axhendën e diskutimeve, ku duket se do të mungojë pika për miratimin e listës së kandidatëve për kryetar bashkie siç edhe ishte përcaktuar më parë. Sipas burimeve nga PS në kongres do bëhet prezantim i disa kandidatëve si modele të suksesshme të qeverisjes lokale të PS-së, por nuk do ketë miratim të një liste të plotë kandidatësh. Kjo edhe për vetë faktin se Partia Socialiste nuk ka zhvilluar një proces propozimesh dhe përzgjedhës brenda strukturave të partisë për kandidatët që do konkurrojnë për kryetar bashkie. Të njëjtat burime bëjnë me dije se kjo shtyrje e miratimit të listës së plotë mund të vijë edhe për shkak të situatës politike në të cilën ndodhet vendi. Kështu, socialistët nuk duan që të bëjnë publik gjithë kandidatët e tyre në një kohë kur nuk është ende e qartë nëse zgjedhjet vendore do mbahen në 30 qershor ose jo”, – shkruan “Gazeta Shqiptare”.