Kryeministri Edi Rama ka ftuar sot të gjithë qytetarët që të aplikojnë në platformën e PS, për t’u bërë pjesë e skuadrës së Partisë Socialiste për të qenë kandidatë për deputet në Kuvendin e ri. Rama ka ftuar edhe demokratët që s’janë vlerësuar apo ata që nuk kanë gjetur hapësirë në PD, që të behën pjesë e Partisë Socialiste. Kreu i PS-së ka thënë se edhe ai vetëm më parë as që e kishte menduar se mund të bëhej anëtar i një partie politike, të cilën e drejton sot.
“Ftesa jonë është e hapur për të gjithë, nuk themi vetëm anëtarët mund të kandidojnë dhe të shprehin interesin, gjithkush mundet. Edhe demokratë në zemër, mendje demokratë që mund të kenë qenë me PD për vite të tëra dhe kanë arsye që ta shohin veten pranë nesh, janë të mirëpritur.
Unë se kam menduar kurrë që do bëhesha anëtar partie, Evisi gjithashtu, s’po them për Taulantin se ai ka dashur që i vogël të jenë anëtar partie.
Ne jemi të ndryshëm në këtë familje. Janë ata që kanë hyrë me forumin dhe ata si unë që kanë ardhur nga një tjetër rrugë. PS është ide, dogmë dhe jo një kazermë. Është një familje që nëse do merresh me politikë je më i respektuar se askund tjetër”, theksoi Rama.